Dhuna deri në vdekje e shqiptarit Ilia Kareli në burgjet greke ka shqetësuar edhe Komisionerin për të drejtat e Njerut në Këshillin e Europës, Nils Muiznieks. Ai u ka bërë thirrje autoriteteve greke që të zbardhin këtë ngjarje të rëndë dhe të përmirësojnë situatën në burgje.
"Unë jam i shqetësuar seriozisht sa i përket rastit të torturës që çoi në vdekjen e Ilia Kareli. Burgjet dhe qendrat e ndalimit nuk mund të funksionojnë pa ligje Standardet e të drejtave të njeriut duhet të mbrohen dhe ata që janë përgjegjës për sjellje të dhunshme duhet të mbajnë përgjegjësi" është shprehur komisioneri Muiznieks.
Ai ka përshëndetur reagimin e intitucioneve gjyqësorë në Greqi duke e konsideruar hap pozitiv, por ka kërkuar të vijohet më tej derisa përgjegjësit të dalin para ligjit.
"Veprim i ndërmarrë nga autoritetet gjyqësore të Greqisë për të hetuar këtë rast është një hap pozitiv i cili duhet të çojë në sanksionimin e të gjithë personave përgjegjës për këtë krim" thekson komisioneri.
Muiznieks kërkon gjithashtu që të merren masat e duhura për të shmangur përsëritjen e akteve të tilla të papranueshme.