TIRANË- Protestat e të larguarve nga administrata do të përshkallëzohen edhe në qytete të tjera kryesore në vend. Kjo është ajo çfarë ka paralajmëruar kryetarja e shoqatës së të larguarve, Nertila Qafzezi. "Ta konsiderojnë çështjen tonë si një çështje të rëndësishme për t'u diskutuar aty në Parlament, sepse këta njerëz janë të pashpresë, kërkojnë një përgjigje. Deri tani qeveria ka heshtur, Kryeministri ka heshtur, Parlamenti ka heshtur", tha Qafzezi.
Ndërsa deputetët e opozitës që braktisën seancën dhe u bashkuan me protestuesit, janë shprehur se do të përcjellin kërkesat e të larguarve në Kuvend "zëri juaj është zëri jonë në Parlament", ka thënë deputeti Halimi. "Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i cila tha se ju jeni hedhur në rrugë në mënyrë antikushtetuese është kusht i padiskutueshëm i PD në marrëdhënie me Parlamentin. Para dy ditësh, Gjykata e Strasburgut ka dhënë një vendim, i cili është zbardhur dje dhe do ta bëjmë publik edhe ditët në vijim. Sipas të cilit, të gjithë ata që kanë një vendim gjyqësor për t'u rikthyer në punë duhet të rikthehen në mënyrë të menjëhershme", deklaroi deputeti i PD, Halimi.
E enjtja e sotshme shënon dhe javën e 4-ërt të protestave përpara Parlamentit.