TIRANË - Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, gjatë vizitës së tij në Danimarkë tha se pa një Ballkan tërësisht të integruar, Evropa nuk do të jetë e plotë, dhe pa zgjerimin e BE-së, Ballkani nuk mund të jetë një rajon i sigurt dhe i qëndrueshëm.
Kryetari i Parlamentit danez, Mogens Lykketoft, shtroi një darkë zyrtare me rastin e vizitës së kryetarit Meta dhe delegacionit parlamentar që e shoqëron.
Në fjalën e rastit, kryeparlamentari tha se e ka vizituar Shqipërinë në cilësinë e Ministrit të Jashtëm në vitin 2001, kur Ilir Meta ishte Kryeministër i vendit.
"Dua t'ju siguroj se ne e vlerësojmë bashkëpunimin tonë dhe dëshirojmë t'i zhvillojmë marrëdhëniet tona në një stad të ri më të lartë", u shpreh kryetari i parlamentit danez.
"Ju jeni një mik i mirë i Danimarkës, një vend që e njihni mirë dhe ku keni shumë miq personalë në spektrin socialdemokrat, të cilët i keni njohur që në vitet e hershme të lëvizjes evropiane socialdemokrate dhe që sot shërbejnë në jetën tonë politike. Dua t'ju uroj nga zemra kurajo në misionin e reformimit dhe modernizimit të vendit tuaj", iu drejtua Mogens Lykketoft, homologut shqiptar.
Më tej, ai tha se Danimarka dhe Shqipëria janë bashkë në shumë drejtime, në NATO, në Afganistan dhe përsëri së bashku sot në Ukrainë. "Dëshirojmë të jemi bashkë sa më shpejt edhe në BE, sepse të gjithë këtu në Parlamentin e Danimarkës jemi dakord se projekti evropian nuk do të plotësohet kurrë pa integruar plotësisht edhe Ballkanin Perëndimor. Ne kemi një perspektive të shkëlqyer të bashkëpunimit dypalësh mes Danimarkës dhe Shqipërisë, dhe jam i bindur se vizita juaj është një hap i madh në këtë drejtim", tha kryeparlamentari danez.
Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, kryetari i Kuvendit vlerësoi vëmendjen e veçantë, që Mogens Lykketoft, i ka kushtuar Shqipërisë dhe rajonit, që kur ishte Ministër i Jashtëm.
"Vizita ime e parë jashtë vendit, vijoi Meta, ka qenë në Danimarkë, ku kam mësuar për parimet e demokracisë sociale dhe vlerat evropiane dhe ku kam njohur disa nga miqtë e mi më të mirë, të cilët tani shërbejnë në politikën daneze. Që atëherë, e kam patur shumë për zemër Danimarkën, një vend që ka qenë gjithmonë një shembull ekselence për mua".
Për kryetarin e Kuvendit Danimarka përfaqëson një model të qartë të zhvillimit demokratik, jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë kontinentin evropian. "Niveli juaj shumë i lartë i integritetit, ndjenja e përgjegjësisë me të cilën ju ushtroni politikën në këtë vend, niveli shumë i ulët i korrupsionit dhe standardet shumë të larta të jetesës, ju bëjnë ju jo vetëm një model të shkëlqyer, por dhe një partner shumë të rëndësishëm për Shqipërinë brenda BE-së, të cilit ne aspirojmë t'i përkasim një ditë", theksoi Meta në fjalën e tij.
Ai më tej vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera politike mes dy vendeve, ndërsa shprehu besim se pas vizitës së tij në Danimarkë dhe pas një vizite të Lykketoft në Tiranë, në një të ardhme të afërt, shkëmbimet parlamentare dypalëshe të hyjnë në një fazë...