Nuk komentohet përjashtimi i Selës, akuza drejtuar Zija Jonuzit

2015-08-22 7

Një ditë pas përjashtimit nga partia të një prej figurave më dominante të PDSH-së në 3 vitet e fundit, Ziadin Sela, asnjë nga kryesia e partisë nuk dëshirojnë të arsyetojnë vendimin para kamerave. Në një konferencë të sotme për shtyp, as deputeti Gazmend Aliu nuk deshi të flasë për çarjet në partinë e tij.

Si i komentoni zhvillimet e fundit në PDSH, çfarë ndodh...

"Nuk kemi komente për atë, kjo është vetëm konferencë shtypi, lidhur me këtë aferë të korrupsionit", tha Gazmend Aliu, PDSH.

Nuk komentojnë as aktorët e mosmarrëveshjeve, Ziadin Sela dhe Lavdërim Elmazi. Në vend të komenteve të vendimit, kryesia tashmë e shkarkuar e Degës së PDSH-së në Strugë, ka akuzuar bartësin e listës të PDSH-së në njësinë e pestë zgjedhore Zija Jonuzi se deri para pak kohe nuk iu bënte vonë për interesin e partisë. Ai, sipas kryesisë së degës, kishte refuzuar thirrjen për nënshkrimin e kandidaturës së PDSH-së për kryetar shteti Iljaz Halimi.

"Zija Jonuzi dhe bashkëshortja e tij, të dy anëtarë të kuvendit të Degës së PDSH-së në Strugë, madje z. Jonuzi edhe anëtar i kuvendit qendror të PDSH-së, nuk e kanë nënshkruar kandidaturën e Iljaz Halimi për president. Jonuzi ftesës për ta bërë një gjë të tillë i është përgjigjur me arsyetimin, se përparësi ka biznesi i tij, është i angazhuar privatisht dhe se nuk ka kohë dhe hapësirë të merret me aktivitete politike" thonë nga Dega e PDSH-së në Strugë.

Pavarësisht zhvillimeve të tilla, kreu i PDSH-së, Thaçi fushatës e kandidatit për president shteti, Iljaz Halimi sot e zhvendos në rajonin e Strugës. Ndërkohë rivali politik i PDSH-së përmbahet nga komentet. Nënkryetari i BDI-së, Izet Mexhiti tha se nuk do të komentojë çështjet e brendshme të PDSH-së, por vlerëson se këto çarje eliminojnë edhe dyshimet më të vogla për fitoren e BDI-së.

"Janë çështje e brendshme e PDSH-së, mirëpo kjo dëmton opozitën në përgjithësi në veçanti opozitën shqiptare, përndryshe edhe njëherë mendoj se këto zgjedhje nuk ka dilemë se fiton në kampin shqiptarë BDI dhe në kampin maqedonas VMRO-DPMNE. Pra këto zgjedhje do të përcaktojnë faktorizimin e shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë. Në këtë frymë pra ne e shohim", deklaroi Izet Mexhiti, nënkryetar i BDI-së.

Ziadin Sela pas zgjedhjeve lokale u emërua nënkryetar i PDSH-së, duke marrë pozitën e Imer Aliut. Vendimi i tillë i Thaçit erdhi pas fitimit për herë të parë të një kandidati të PDSH-së në Strugë, duke rritur dukshëm numrin e votave në këtë qytet, pasi grumbulloi mbi 11 mijë vota në rrethin e parë. Pas përjashtimit të Selës, nën udhëheqje të anëtarëve të PDSH-së mbetet vetëm Komuna e Studeniçanit. Benjamin Arifi

Free Traffic Exchange