TIRANË- Kreu i Shërbimit Informativ Shtetërorë, Visho Ajazi Lika është pajisur me certifikatë sigurie gjë i hap rrugë tashmë raportimit të tij në Komisionin e Sigurisë. Burime bëjnë me dije se Visho Ajazi Lika pritet të raportojë javën e ardhshme. Por në Komisionin e Sigurisë kryetari Spartak Braho bëri me dije se kreut të SHISH do t'i ushtrohet edhe kontroll nga një grup deputetesh me kërkesë të Partisë Socialiste.
Me herët, Komisioni i Sigurisë ka votuar pro ndryshimeve në Kodin Penal, ndryshime këto që vijnë me propozim të një grupi deputetësh duke ju referuar ngjarjeve të fundit me shtetasit shqiptarë që kanë marrë pjesë në luftimet në Siri. Por nuk kanë munguar as sugjerimet apo edhe kritikat ndaj qeverisë nga anëtarët e komisionit.
Në Kodin Penal parashikohen të shtohen tre nene ku dënohen me burgim të gjithë ata persona që marrin pjesë në formacione luftarake pa qenë shtetas apo pjesë e forcave të armatosura. Dënohet po ashtu nxitja e rekrutimit, organizimi si dhe thirrja në mënyrë publike për pjesëmarrje në çdo lloj forme apo mjeti.