A1 Report - Akuza e PD: Rama emeron drejtor te akuzuarin per shperdorim detyre

2015-08-22 2

TIRANE - Partia Demokratike ka denoncuar emërimin e Roni Shqopës në krye të Kovaleshencës, ku sipas PD ky person është në gjykim për shpërdorim detyre.

Në fjalën e saj zëdhënësja Laura Vorpsi akuzoi kryeministrin Rama se ka shkelur etikën e funksionimit të qeverisë duke emëruar drejtor në Ministrinë e Brendshme një të pandehur për shpërdorim detyre.

"Edi Rama e nisi detyrën duke hartuar një kod etike për funksionimin e qeverisë, por ai vetë është në praktikë një shkelës i përsëritur i etikës. Cili është kodi etik që ka përdorur Edi Rama me emërimin e Roni Shqopës, në detyrën e drejtorit të Shtëpisë së Pushimit të Ministrisë së Brendshme, ose siç njihet ndryshe Kovaleshenca e Durrësit, kur ky i fundit është marrë i pandehur nga drejtësia për shpërdorim detyre dhe aktualisht është nën proces gjyqësor. Teksa pritet seanca e radhës e gjyqit, që është vendosur me datën 9 të këtij muaji, qeveria e Edi Ramës i ka dërguar një sinjal të fortë edhe gjykatës duke e emëruar të pandehurin, drejtor në Ministrinë e Brendshme." tha në fjalën e saj zëdhënësja Vorpsi.

Duke vazhduar më tej në akuzën e saj, Vorpsi e cilësoi këtë si një shkelje me të e standardeve më minimale të një shteti.