Pas dëshmisë së dhënë në komisariat, në një reagim për televizonin "A1 Report", Gërdupi, organizatori i ekskursionit, mohon kategorikisht faktin se ndodhej në vendin ku ranë 2 të rinjtë, teksa rrëfen edhe çastin kur grupi i dytë është ndarë. Gjithashtu 18-vjeçari në deklaratën e tij dhënë në ambientet e komisariatit nr.1, pas dhënies së dëshmisë, është lënë i lirë dhe mohon se ai është shoqëruar në polici.
"U komunikova që të bashkoheshin me ne, por nuk na dëgjuan. Përgjegjësia ime qëndron vetëm në instruktimet dhe këshillat që u japim atyre që na bashkohen, por nuk mund të marrim dot përsipër lëvizjet dhe dëshirat e të gjithëve"-mësohet të ketë deklaruar Gërdupi.
Ndërkaq, pritet që në këtë komisariat të thirren edhe pjesëtarë të tjerë nga grupi prej më shumë se 50 vetësh, për të përcaktuar lëvizjet e secilit, para dhe pas ngjarjes. Kërkimet nga RENEA dhe pëlumbarët, për gjetjen e Eljon Elizotit, mbaruan rreth orës 18.30, për shkak të errësirës, për të vijuar ditën e nesërme.