Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në seancën e mbrëmshme të mbajtur me dyer në mbyllura, rrëzoi 639 fletëparaqitje të banorëve të Pustecit për votim në ambasadën e Maqedonisë në Tiranë. Nënkryetari i KSHZ-së Subhi Jakupi, zbardhi për Alsat se bëhet fjalë për persona të cilët ndonëse posedojnë pasaporta biometrike të Maqedonisë, kanë si adresë të vendbanimit të tyre, Shqipërinë. Nga ana tjetër në regjistrin zgjedhor, vendbanimi i tyre figuron të jetë në Maqedoni.
"639 fletëparaqitje që janë paraqitur të votojnë në Tiranë, konstatuam se në fotokopjet që kanë dërguar në fletëparaqitje janë dokumente biometrike të Maqedonisë por me adresë të vendbanimit në Shqipëri. Nga kjo ne konstatuam se ata që janë të evidentuar në regjistrin zgjedhor tek ne dhe dokumentacioni që është dhënë nga MPB nuk përputhen të dhënat. Nuk përputhen të dhënat në adresën ku janë dhënë. Te gjithë qytetarët që në pasaportë kanë adresë jashtë vendit të huaj nuk mund të jenë në regjistrin zgjedhor prandaj ne i kontestuam dhe atyre nuk ju dhamë të drejtë që të regjistrohen në regjistrin e veçantë në Tiranë", deklaroi Subhi Jakupi, nënkryetar i KSHZ-së.
Sipas Jakupit, ndonëse KSHZ-ja nuk disponon të dhëna të tjera, fakti që këta persona gjenden në regjistrin zgjedhor ngre dyshime se këta persona posedojnë dokumente të tjera, si për shembull letërnjoftime me vendbanim në Maqedoni. Jakupi theksoi se sërish fjalën e fundit për 639 personat të cilëve KSHZ-ja nuk ua dha të drejtën e votës në diasporë, do ta japë Gjykata Administrative, nëse të drejtën e tyre të ankimit e shfrytëzojnë brenda 24 orësh. Pak kohë më parë KSHZ-ja, më pas dhe Gjykata administrative hodhën poshtë ankesën e BDI-së për 453 votues fiktiv të cilët ishin paraqitur për të votuar në Ambasadën e Maqedonisë në Tiranë. Këto institucione rrëzuan dhe kërkesën e LSDM-së e cila pretendonte se në listën zgjedhore ekzistojnë 26 515 votues fiktivë. Semra Jakupi