TIRANE - Është shoqëruar me debate seanca gjyqësore e rradhës e kryebashkiakut të Vlorës Shpëtim Gjika dhe eskpertes së çështjes Luiza Bala. Në këtë seancë, të caktuar nga gjykata me kërkesë të prokurorisë, është marrë në pyetje nga avokatët, ekspertja Bala.
Në fjalën e saj ekspertja është shprehur se është shkelur vendimi i Këshillit të Rregullimit të Territorit i cili nuk lejon ndërtime në zonën e portit dhe "3 racat". pasi konsiderohen si zona të gjelbërta.
"Në bazë të vendimit të KRTRSH në vitin 2002, nuk lejohen ndërtime në zona të gjelbërta, dhe kjo do të thotë se nuk lejohen ndërtime në zonën e portit pasi konsiderohet zonë e gjelbërt." mësohet të jetë shprehur ekspertja Bala.
Ndërkaq ka replikuar Shpëtim Gjika i cili ka mohuar akuzat duke hedhur poshtë provat. Sipas tij nuk ka vendim të tillë për moslejimin e ndërtimeve në zonën e portit dhe "3 racat", ndërsa ka shtuar se do të mbajë përgjegjësi penale për atë që deklaron.
Pasi ka dëgjuar të dyja palët gjykata vendosi që në seancën e rradhës të thërrasë nga organi i akuzës 4 dëshmitarë, për tu marrë në pyetje për çështjen në fjalë. Seanca e rradhës do të zhvillohet javën e ardhshme me datë 7 prill.