TIRANË - Një prokuror, një inspektor i KLD-së dhe një zyrtar i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve janë dërguar në prokurori për fshehje të pasurisë.
Në komunikim me median, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, ka bërë të ditur se, të denoncuar janë, Bardhok Lleshi, Arjan Qafa dhe Artial Adil.
Ky institucion bën të ditur se kallëzimet penale janë bërë në bazë të ligjit "Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publike".
Ndaj tre personave, ILDKPI-ja, ka ngritur akuzën e "Fshehjes ose deklarimi i rremë i pasurive te personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi që ka detyrim ligjor për deklarim".
Sipas Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, këta persona akuzohen se nuk kanë deklaruar në këtë institucion, të ardhurat në mijëra euro dhe dollarë, ndërsa nuk kanë justifikuar edhe burimin e të ardhurave të tyre.