SELANIK - Zbulohet letra që kishte shkruar Ilia (Ilir) Kareli, për nënën e tij pak para se të qëllonte për vdekje gardianin e burgut. Shënimi në një copë letre fletoreje është publikuar ditën e djeshme në median greke. Ajo është e dëmtuar dhe mbi të ka njolla të shumta gjaku.
Në letër, Kareli shkruan se, e kishte marrë malli për nënën e tij dhe akuzonte autoritetet greke se e kishin dënuar padrejtësisht.
Ai në letër shkruan edhe se, për një gabim që ka bërë nuk mund të dënohej kaq shumë, ndërsa kërkon përgjigje për pyetjet e tij.
Gjithashtu ai në fund të letrës thotë se, për këto padrejtësi do të marrë jetën e njërit prej gardianëve të burgut të Malandrinos.
"Për shërbimin e burgut të Malandrinos
Më keni futur dhe më mbanin këtu, kaq gjatë, kaq shumë vite.
Edhe pse kam vrarë dikë, ju pse nuk më lejoni që të shkoj në shtëpinë time për të gjetur dhe parë nënën time gjallë. Pse nuk më lejoni të shkoj në familjen time, pse?
Unë jam këtu që në vitin 1997 dhe ju nuk jeni ngopur me kaq shumë vite të jetës time?
Deri më tani unë ju kam dhënë jetën dhe 4 vite punë. Me atë gabim që kam bërë unë, nuk meritoj kaq shumë vite dhe ju ende vazhdoni të më mbani, pse?
Pse? Tani unë duhet të marrë jetën e njërit prej jush.
Kjo sepse ju keni marrë jetën time, po pse, pse ?", shkruhej në letrën e Karelit.