A1 Report - Mbërrin në Shqipëri trupi i Ilia Karelit, u vra në burg në Greqi

2015-08-22 1

FIER- Trupi i Ilia Karelit, shqiptarit që humbi jetën në burgun e Nigritas në Greqi, pas dhunës së ushtruar mbi të, mbërriti pasditen e sotme në Shqipëri përmes pikës kufitarë të Kakavijës në Gjirokastër.

Trupi i pajetë Karelit, i njohur në Shqipëri me emrin, Kudret Kume, u prit nga familjarët e tij dhe pas përfundimit të procedurave në doganë u dërgua në fshatin Zhupan të Fierit, ku dhe do të varroset.

Halla e tij, Yllvije Hoxha në një komunikim me mediat fajësoi policinë greke për dhunë të paprecedentë dhe tortura ç'njerëzore ndaj nipit të saj.

Kjo e fundit i bëri apel instancave të shtetit shqiptar të kërkojë nga autoritetet greke zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.

"Torturat ndaj tij janë ç'njerëzore. Kërkojmë nga shteti drejtësi, dhe të zbardhet ngjarja. Ilia humbi jetën nga dhuna e ushtruar", tha halla e Ilia Karelit.

Kareli u gjet i vdekur në qelinë e tij më 28 mars, tre ditë pasi vrau me thikë gardianin e burgut të Malandrinos në Greqi.

Rezultatet e autopsisë së trupit të 40-vjeçarit shqiptar tregojnë se vdekja e tij është shkaktuar si pasojë e traumave nga goditjet me sende të forta.

Sipas oficerëve të policisë në shtetin fqinj, Kareli është gjetur i vdekur vetëm pak orë pasi ishte kthyer nga prokuroria ku ishte marrë në pyetje dhe kishte kërkuar të falur.

Ndërkohë Ministria e Punëve të Jashtme kërkoi një ditë më parë nga autoritet greke zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.

Free Traffic Exchange