TIRANE- Pas gati 6 orësh janë ndërprerë kërkimet për gjetjen e 18-vjeçarit Erjon Alizoti i cili u rrëzua në kanionet e lumit Erzen, pas malit të Dajtit. Bashkë me Alizotin, u rrëzua edhe një djalë tjetër, i cili arriti të dilte nga uji, dhe të shpëtohej nga shokët. Dy të djemtë, së bashku me një grup të rinjsh, kishin zgjedhur ditën e sotme për të zhvilluar një ekskursion në "Shpellën e Pëllumbasit". Ndërsa rrëzimi i të rinjve në kanion ka ndodhur rreth orës 14:00.
Forcat e rendit deklaruan jashtë kamerës se kërkimet u ndërprenë për shkak të errësirës, dhe do të rinisin nesër në mëngjes me mjete më të specializuara.
"A1 Report" ka shkuar në vendin ku dyshohet se ka rënë i riu, dhe është pikërisht kanioni që shihni në ekran, duke sjellë edhe pamjet nga terreni i vështirë ku kanë ecur të rinjtë.
Nga forcat RENEA dhe polumbarët që kryen operacionin e kërkimit, mësohet se 18-vjeçari ka rrëshqitur nga bregu i lumit, teksa po lante duart.
Të pranishëm gjatë gjithë operacionit ishin dhe prindërit e 18-vjeçarit të humbur, të cilët për shkak të gjendjes së vështirë emocionale nuk pranuan të prononcohen për mikrofonin e "A1 Report".
Ndërsa, i riu i cili u mund të nxirrej nga kanioni u dërgua në spital për të marrë ndihmë mjekësore, dhe mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
I riu bashkë me grupin mbi 50 veta ishin organizuar në "Facebook", nga "Rrjeti i Vullnetarëve Shqiptarë". Erjoni u rrëzua bashkë me një djalë tjetër, i cili fatmirësisht arriti të shpëtohej nga pjesëtarët e tjerë të grupit, ndërsa fati i 18-vjeçarit mbetet ende mister. Policia njoftoi se do të procedojë penalisht organizatorët e këtij ekskursioni për mos krijimin e kushteve të sigurisë e grupit të të rinjve.