TIRANE- Pas gati 6 orësh janë ndërprerë kërkimet për gjetjen e 18-vjeçarit Erjon Alizoti i cili u rrëzua në kanionet e lumit Erzen, pas malit të Dajtit. Bashkë me Alizotin, u rrëzua edhe një djalë tjetër, i cili arriti të dilte nga uji, dhe të shpëtohej nga shokët. Dy të djemtë, së bashku me një grup të rinjsh, kishin zgjedhur ditën e sotme për të zhvilluar një ekskursion në "Shpellën e Pëllumbasit". Ndërsa rrëzimi i të rinjve në kanion ka ndodhur rreth orës 14:00.
Sipas pjesëtarëve të tjerë të grupit që panë ngjarjen, dy djemtë po lanin duart me ujin e lumit Erzen, por kanë rrëshkitur dhe janë rrëzuar. Kamera e "A1 report" ka shkuar në vendin e ngjarjes, duke sjellë edhe pamjet nga terreni i vështirë ku kanë ecur të rinjtë.
Menjëherë pas raportimit të ngjarjes, në zonë kanë mbërritur forcat e policisë dhe polumbarët të cilët kanë vijuar për rreth 6 orë kërkimet për gjetjen e të riut, por tashmë kërkimet janë ndërprerë për shkak të errësirës. Ndërsa pritet që kërkimet të rinisin nesër me mjete më të specializuara.
Ndërsa, i riu i cili u mund të nxirrej nga kanioni u dërgua në spital për të marrë ndihmë mjekësore, dhe mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Grupi i të rinjve kishte organizuar ekskursionin në rrjetin social "Facebook", por gjatë rrugës së kthimit ka ndodhur edhe rrëzimi i dy djemve.
Rreth 50 të rinj janë takuar mëngjesin e sotëm pranë rrugës së Elbasanit për t'iu drejtuar "Shpellës së Pëllumbasit".