TIRANE- Në Tufinë ka nisur ndërtimi i varrezave murale, dhe sipas projektit brenda vitit parashikohet që kryeqyteti t'i ketë këto varreza gati. Burime zyrtare nga Bashkia e Tiranës pohojnë për "Shqiptarja.com" se një kompani private ka fituar tenderin, dhe parashikohet ngritja e dy godinave të këtyre varrezave, të cilat do të jenë përballë njëra tjetrës, pikërisht në hyrjen kryesore të varrezave të Tufinës. Për këtë hapësirë, Drejtoria e Shërbimit Funeral ka marrë një shkresë ku i është kërkuar të mos kryejnë varrime në zonën që njihet edhe si hapësira e parkimit, e cila ndodhet në krahun e majtë të hyrjes kryesore.
Sipas burimeve, aktualisht është duke u punuar për rikonstruksionin e gjithë sipërfaqes së varrezave, ndërkohë që faza e dytë do të jetë ajo e ndërtimit të varrezave murale. Sipas të dhënave aktualisht ka mbaruar azhornimi në terren i projektit, në mënyrë që të merren të gjitha informacionet dhe të përshtaten të gjitha punimet ndërtimore për zgjerimin e varrezave në Tufinë. Më pas do të nisë ndërtimi i varrezave murale të cilat parashikohen të jenë kuti me përmasa 40 cm me 70 cm.
Projekti i varrezave murale ka një kosto prej 153 milion lekë që do të përballohen nga Bashkia e Tiranës me buxhetin e vitit 2014. Por, nga ana tjetër nga Bashkia e Tiranës, në buxhetin afatmesëm 2014-2016 është parashikuar një fond prej 176.474866 lekë për rehabilitimin dhe zgjerimin e varrezave publike në Tufinë. "Varrezat publike të Tufinës, sipërfaqet ekzistuese kanë nevojë për sistemimin dhe asfaltimin e rrugëve të cilat janë të dëmtuara, po kështu edhe bordurat kufizuese të cilat në disa segmente mungojnë plotësisht.
Mungojnë edhe kanalizimet anësore të rrugëve të brendshme gjë që sjell problem në kohë reshjesh" thuhet" thuhet në relacionin shpjegues të buxhetit. Por, problematika të tjera do të mbulohen me këtë fond, pikërisht gjelbërimi i cili është shumë i ulët dhe në sheshet kryesore paraqitet i dëmtuar. "Rikonstruksioni parashikon rikonstruksionin e rrugëve të brendshme, kompletimin me elementë të mobilimit urban, sistemim gjelbërimi në sheshet kryesore.
Zgjerim i sipërfaqeve ekzistuese sipas planifikimit vjetor, ndërtimi i infrastrukturës së sipërfaqeve të vogla" thuhet në projektin e bashkisë i cili justifikon edhe shpenzimin e parave. Ky fond i parashikuar nga Bashkia e Tiranës është si për rehabilitimin e varrezave të Tufinës ashtu edhe për ndërtimin e varrezave murale. Ngritja e varrezave murale pritet që të hapë një sipërfaqe të madhe në sipërfaqen e varrezave që vendosen në tokë, me afërsisht 7 parcela. Ndërkohë që parcela të reja do të hapen edhe me shpronësimin e 26 000 m2 në, shpronësim i cili u bë vetëm 10 ditë më parë nga qeveria.