LIBRAZHD- Dy vëllezër dhe xhaxhai i tyre shkojnë për të mbledhur skrap por shpërthimi i granatës i merr jetën njërit prej tyre ndërsa plagos dy të tjerët. Ngjarja ka ndodhur mesditën e sotme në malin Zgarë pranë fshatit Tokëz të Librazhdit.
Nga shpërthimi ka mbetur i vdekur Arben Dosku, 27 vjeç ndërsa dy të plagosurit lehtë vëllai i viktimës Alfred Dosku 21 vjeç dhe xhaxhai Lavdrim Dosku 45 vjeç. Korrespondenti ynë Andi Qosja informon se në atë zonë ku të rinjtë kishin shkuar për të mbledhur skrap dikur ka qenë repart demontimi të municioneve.
Megjithatë në këtë zonë nuk ka asnjë tabelë të shënuar që tregon se ky vend mund të ishte i rrezikshëm.
REAGON TAULANT BALLA: TE ZBARDHET
Deputeti socialist i kësaj zone Taulant Balla shkoi në vendin ku ndodhi "aksidenti i rëndë" dhe i kërkon prokurorisë të zbardhë vrasjen.
Sipas deputetit të PS-së aksidenti i rëndë ndodhi në një zonë ku deri para një viti ushtria bënte demontim predhash me shpërthim. "Si deputet i Librazhdit i kërkoj Policisë dhe Prokurorisë të fillojë një hetim të plotë për këtë ngjarje sepse ky ka qenë një aksident që mund të parandalohej nëse ushtria do ta kishte pastruar zonën. I kërkoj gjithashtu Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë të bëjnë menjëherë pastrimin e pikave të tjera të demontimit që Arben Imami ngriti kudo nëpër Shqipëri. Pavarësisht se Ministria e Mbrojtjes kishte urdhëruar ndalimin e demontinimit deri në plotësimin e te gjitha kushteve dhe kritereve të sigurisë këto janë pasojat e keq qeverisjes së Berishes dhe Imamit duke minuar deri edhe jetët e njerezve te pafajshem," thotë Balla.