Sonte në mesnatë skadon afati i dorëzimit të listave të kandidatëve për deputet. Partia e parë që dorëzoi listat në Komisionin Shtetëror Zgjedhor ishte BDI-ja. Shefi i Shtabit Zgjedhor i kësaj partie, Abdilaqim Ademi tha se BDI do të garojë në të gjitha njësitë zgjedhore. Listat sipas Ademit janë gjithëpërfshirëse dhe në përbërjen e saj ka kuadro të cilët kanë mbajtur mbi supet e tyre procese demokratike dhe kombëtare në Maqedoni.
"Ne jemi të bindur se kjo listë është listë e së ardhmes, listë e cila do të jetë udhëheqëse edhe në mandatin e ardhshëm katër vjeçar. Në këtë mënyrë ne bëhemi partia e parë politike shqiptare e cila shtrihet në tërë territorin e Maqedonisë. Ashtu siç kemi theksuar, ku ka një shqiptarë, ku ka një qytetarë i cili e përkrahë konceptin dhe idenë tonë ne do të jemi aty, prandaj ne këtë radhë do të garojmë edhe në njësinë numër katër", deklaroi Abdilaqim Ademi --BDI.
"Ne gjatë ditës së sotme presim që deri në orën 24 që të shfrytëzojnë rastin dhe të dorëzojnë listat në KSHZ. Ne jemi të përgatitur që ti pranojmë ato dhe më pas të përpunojmë të gjitha të dhënat të cilat ata do të dorëzojnë dhe me kohë ne do të japim edhe përgjigje lidhur me listat që do të dorëzojnë partitë politike", tha Subhi Jakupi -- nënkryetar i KSHZ-së.
Sonte në mesnatë deri tek KSHZ-ja listat e tyre të kandidatëve për deputet pritet ti dorëzojnë PDSH-ja, VMRO-DPMNE-ja, LSDM-ja dhe subjektet tjera politike. KSHZ-ja në afat deri 48 orë duhet të konfirmojë nëse listat e kandidatëve janë parashtruar në afatin e caktuar dhe janë përbërë në pajtim me përcaktimet e Kodit zgjedhor. Valmir Kuçi