BDI, prezantoi platformën e saj politike

2015-08-22 1

Kultivimi i marrëdhënieve ndëretnike, zhvillimi dhe mirëqenia si dhe integrimet euro-atlantike, janë tre shtyllat ku bazohet platforma zgjedhore e BDI-së. Partia e Ahmetit platformën e saj politike me 1081 projekte, me vlerë prej mbi 2 miliard eurosh, sot e shpalosi përpara shoqatave te arsimtarëve, mjekëve, bujqve, të kulturës, sportit, ambientit etj. Zv/kryeministri për çështje evropiane Fatmir Besimi theksoi se BDI do të vazhdojë me projektet që kanë për qëllim përmirësimin e standardit jetësor të shqiptarëve, zbatimin e plotë të M.O-së, promovimin e kulturës dhe vlerave kombëtare, rritjen e përfaqësimit të shqiptarëve nëpër institucione, arsim më cilësorë, uljen e papunësisë si dhe avancimin e përdorimit të gjuhës shqipe dhe promovimin e konsensusit politik.

"Marrëdhëniet ndëretnike paraqesin themelin dhe do të punojmë në mandatin e ardhshëm për avancim të gjuhës shqipe si gjuhë e dytë zyrtare në të gjitha nivelet. Përfaqësimi i drejtë do të rritet si në aspekt të sasisë, numrit ashtu edhe të cilësisë. Do të përfshihet edhe në dikasteret udhëheqëse dhe në koncept më të gjera se sa vetëm punësimin...Një buxhet proporcional jo proporcional në kuptimin klasik 25% ose sa do të jemi në regjistrimin e ardhshëm, por edhe favorizimin i sektorëve dhe rajoneve që në të kaluarën nuk kanë patur nivel të mjaftueshëm zhvillimi", deklaroi Fatmir Besimi, BDI.

Sipas Ermira Mehmetit BDI edhe më tej do të vazhdojë të investojë në integrimin që bazohet në dy dimensione; integrimin e brendshëm të shqiptarëve dhe integrimin e vendit në strukturat euro-atlantike.

"Rivendosja e marrëdhënieve të ftohura mes Brukselit zyrtar dhe Uashingtonit zyrtar me Shkupin Zyrtar është një fakt një arritje e cila duhet ti përshkruhet kontributit shqiptar në qeverisje. Kjo nuk ka qenë e lehtë sepse fuqia dominante politike në pushtetin ekzekutiv ka një qasje tjetër fare, prioritete tjetër fare ne vend të ndërtimit të konceptit integrues më shumë investon në ndërtimin e koncepteve identitare por kjo për ne nuk ka qenë pengesë për të vazhduar me promovimin e politikave tona", tha Ermira Mehemti, BDI.

Sipas BDI-së gjithashtu do të implementohet ligji që 1% e Bruto prodhimit të vendit të ndahet sipas çelësit për zhvillim rajonal të barabartë, buxhet proporcional, zhvillim rajonal i barabartë. Nga projektet kryesore të infrastrukturës theks i vendoset Korridorit 8, zonave teknologjike industriale në Tetovë, Strugë, Kërçovë, modernizimin e shëndetësisë përmes klinikave dhe pajisjeve të reja etj. Semra Jakupi