Nesër skadon afati për regjistrimin e mërgimtarëve për votimin e diasporës në zgjedhjet parlamentare. Ndërkaq sot skadon afati për regjistrim përmes metodës 'viber'. Nënkryetari i BDI-së Izet Mexhiti u bëri thirrje mërgimtarëve që t'i mbledhin forcat dhe të shfrytëzojnë edhe ditën e fundit për t'u regjistruar në listat e votueseve, me qëllim që shqiptarët të mos humbin shansin për të pasur përfaqësuesin e tyre në parlament.
"Me metodën e re me viber afati përfundon sot, ndërsa mërgimtarët kanë të drejtë drejtpërdrejtë në KSHZ të aplikojnë dhe është dita e fundit, nesër përfundon gjithçka rreth zgjedhjeve në diasporë. Meqë regjistrimi determinon nëse do të fitojë deputeti shqiptar apo i palës tjetër, meqë është bërë kampanjë e suksesshme, sensibizlim tek diaspora shqiptare, bëjmë apel që ti mbledhin të gjitha forcat.. Luftohet votë për votë. Çdo votë është e rëndësishme dhe mund të jetë përcaktuese se sa do të jenë deputetët shqiptarë,tha Izet Mexhiti, BDI.
Sipas Mexhiti tani më mijëra mërgimtarë janë regjistruar për të votuar në zgjedhjet e prillit, por ata që nuk kanë aplikuar akoma, procedurat janë siç vijojnë:
"Nëse ndonjëherë ka qenë më lehtë është tani, sepse nga mërgimtari kërkojmë vetëm fotografimin e pasaportës biometrike, fotografimin e çfarëdo dokumenti në vendin ku jeton. Këto dy fotografi t'i dërgojë në e-mail, dhe ekipet tona janë të gatshme të bëjnë gjithçka për mërgimtarët që të fitojnë të drejtën e votës dhe në muajin prill do të flasim për strategjinë dhe organizimin për ditën e votimeve për ambasadat kudo që ka Maqedonia" , deklaroi Izet Mexhiti, BDI.
Për zgjedhjet parlamentare, diaspora do të zgjedh 3 deputetë nga tre njësitë zgjedhore SHBA, Evropë dhe Australi. Semra Jakupi