A1 Report - Miku i Ylli Zyles negocioi blerjen e paisjes pergjuese

2015-08-22 6

TIRANE- Blerja nga SHIU e paisjes së përgjimit "CDMA Interceptor" me një fond prej mbi 1.5 milion euro është negociuar nga një kompani shqiptare që drejtohet nga dy aksionerë, një shqiptar dhe tjetri shtetas italian. Kompania është e rregjistruar në Qëndrën Kombëtare të Rregjistrimit me emrin "STS Albania", ndërsa dy drejtuesit e kësaj kompanie janë shtetasit Ardian Hasanaj, i afërm me Ylli Zylën dhe italiani Oscar Tino Nicola Roje.

Sipas burimeve të "Shqiptarja.com" administratorët e kësaj kompanie kanë hyrë në kontakt me ish-drejtorin e SHIU-t Ylli Zyla, për negocimin e një paisje përgjimi, të standarteve të larta. Burime pranë SHIU-t thanë se kjo kompani ka negociur disa herë me strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes dhe SHIU-t, me qëllim shitjen e paisjeve përgjuese të niveleve të ndryshme. Ndërkohë në rastin e blerjes së aparaturës moderne "CDMA Interceptor", kompania nuk ka pasur çertifikatën e shitjes së kësaj paisje, por ka marrë përsipër negocimin me një firmë izraelite për sjelljen në Shqipëri të paisjes përgjuese. Përqindja në negocim
Marrja përsipër e negocimit me kompaninë izraelite për blerjen e aparaturës së përgjimit "CDMA Interceptor" për llogari të SHIU-t, duket se ka pasur dhe një faturë financiare. Burimet i thanë gazetës "Shqiptarja.com" se kompania "STS Albania" ka marrë përqindjen e saj financiare në këtë negocim të fshehtë, me qëllim mundësimin e blerjes së paisjes. Negocimi i Ardian Hasanaj dhe Oscar Tino Nicola Roje,ka sjellë dhe blerjen e paisjes në shumën prej 1.589.400 euro, ndërkohë që burimet pranë SHIU-t nuk janë në gjëndje të përcaktojnë se sa ka qënë kostoja financiare e këtij negocimi.

Burimet sqarojnë se gjatë kohës së drejtimit të SHIU-t nga Ylli Zyla, Ardian Hasanaj është parë të hyjë në këtë godinë disa herë dhe ka arritur t'i shesë disa paisje përgjimi Shërbimit Informativ Ushtarak Shqiptar. Momentalisht këto paisje sot e kësaj dite vijojnë të përdoren nga SHIU. Pjesa më e madhe e blerjeve të aparaturave dyshohet se është blerë me prokurim të drejtpërdrejtë. Momentalisht prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për këtë çështje, duke marrë indicie nga një kallëzim penal nga Ministria e Mbrojtjes.

"STS Albania"
Kjo kompani është rregjistruar në QKR në 21 korrik të vitit 2010 me dy ortakët e sipërcituar ai shqiptar dhe tjetri italian. Në objektin e veprimtarisë tregtare të kësaj kompanie thuhet: "Import-eksport, shitje me shumicë dhe pakicë si dhe dhënie me qera të pajisjeve e materialeve elektronike që shërbejnë për krijimin te kushteve të sigurisë në ambjente të ndryshme, si kamera sigurie, rregjistrues filmike, sinjalizues të ndryshëm që kanë të bëjnë me sigurinë, si nga dëmtimet njerëzore ashtu dhe natyrore, si dhe çdo pajisje tjetër elektronike që ka të bëje me sa më sipër etj. Ofrim i konsulencës, trajnimit dhe ekspertizës sa i përket montimit, përdorimit, kontrollit e mbikqyrjes, si dhe mënyrës së saktësisë së funksionimit të pajisjeve elektronike të kësaj natyre, etj".