Shërbimi Informativ Ushtarak ka blerë pajisje përgjuese ushtarake me vlerë 1.7 milionë euro pa çertifikatë sigurie. Faktet e reja të shkeljeve për të cilat Ministria e Mbrojtjes ka depozituar kallëzim penale në Prokurori, bëhen të ditura nga shqiptarja.com.
Në dosjen voluminoze janë argumentat për 17 shkeljet ligjore i është dorëzuar prokurorisë së Tiranës, kundër ish-ministrit të Mbrojtjes Arben Imami, ish-drejtuesit të Shërbimit Informativ Ushtarak Ylli Zyla dhe 5 zyrtarëve të tjerë të SHIU dhe ndërmarjes shtetërore MEICO, të cilët kanë qënë anëtarë të tenderit për blerjen e paisjes të quajtur "CDMA Interceptor"
Gjithë praktika për blerjen e kësaj paisje përgjimi tepër të kushtueshme dhe që nuk i ka shërbyer në asnjë moment shtetit shqiptar, është kryer në fshehtësi të plotë, dhe kostoja e saj është 1.589.400 euro plus 115.129 USD për mirëmbajtjen. Argument ka qënë kushti i NATO-s, për domosdoshmërinë e kësaj paisje, e cila do të përdorej nga forcat ushtarake Shqiptare në Afganistan.
Praktika, ka shmangur zyrën juridike të ministrisë si dhe Shtabin e Përgjithshëm të FA, drejtorinë juridike dhe sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes. Ndërkohë dhe zhdoganimi i kësaj paisje është bërë për një artikull tjetër, pra është bërë fiktivisht.