A1 Report - Veliaj me te rinjte: Jo me pune nga politika, por nga vete njerezit

2015-08-22 2

TIRANE- Punë nga njerëzit për njerëzit, jo më nga politika. Kjo është strategjia e re që propozohet të implementohet nga Ministria e Mirëqenies dhe Rinisë për punësimin e të rinjve në vend. Nëpërmjet kësaj strategjie synohet të eliminohet koncepti i vjetër i punësimit, dhe të futet praktika e re që të aftët dhe profesionistet të mos ngelen pa punë. Kështu deklaroi ministri i Mirëqenies dhe Rinisë Erion Veliaj gjatë një bashkëbisedimi që pati me të rinjtë e forumit rinor në Kongresin e dytë Kombëtar.

"Asnjë njëri brilant dhe i shkëlqyer nuk ngelet pa punë. Mund të rri të presë dy, tre vjet, por pa punë një njëri i shkëlqyer nuk mbetet. Sot shumë prej kompanive kërkojnë njerëz që të merren me menaxhimin e databazave. Dhe sot kush ka përfunduar për teknologjinë e informacionit nuk ngelet pa punë. Unë mendoj se jemi në një fazë kur duhet t'i ndryshojmë dhe kulturalisht këto koncepte", tha ministri.

Veliaj i sugjeroi të rinjtë të orientohen drejt profesioneve pasi sot zanatçinjtë janë më të kërkuarit nga tregu i punës.

"Shteti para se ne të vinim në pushtet punësonte rreth 120 mijë punonjës, sot ka zbritur nën 100 mijë është kushti i FMN-së ne nuk mund ta rrisim administratën, nuk mund të punojnë të gjithë në shtet. Në këtë sens është detyra jonë të punojmë më shumë me arsimin profesional, që për një pjesë të madhe të popullsisë ta fokusohet në një zanat dhe jo të marrë një diplomë që nuk i duhet. Kjo është një mënyrë që njerëzit të fitojmë më me ndershmëri sesa të shkojnë pas politikës që të punësohen", tha Veliaj.

Veliaj premtoi se për herë të parë pranë dikasterit që ai drejton do të ngrihet një strukturë e re që do të merret drejtpërdrejt me çështjet e të rinjve. Ai premtoi se edhe hapësirat publike që keqpërdoren apo janë jashtë funksionit do të vihen në dispozicion të të rinjve.