Ka vazhduar saga me publikimin e skandaleve financiare të funksionarëve të lartë të BDI-së nga PDSH-ja opozitare. Deputeti Bekim Fazliu akuzoi zëvendësdrejtorin e Drejtorisë për të Hyra Publike, Argëtim Asanin, për shmangje të pagesës së tatimit. Sipas Fazliut, zv/drejtori Asani ka bërë krim pasi përveç që ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke mos paguar tatim, ka shkaktuar edhe konflikt interesi.
"Në dokumentin zyrtar të Regjistrit Qendror shihet qartë se ai është bashkëpronar i firmës TD AVEL dhe ka borxh, tatime të papaguara, prej afro 10 milionë denarë. Edhe atë: 4,528,415 denarë nga tatimi në fitim, 4,058,723 denarë nga TVSH dhe 265,192 denarë tatim nga rrogat e lëshuara. Nga e gjithë kjo shihet qartë se firma e zëvendësdrejtorit të DHP Argëtim Hasani, nën mbrojtjen e Ali Ahmetit, në vazhdimësi i gjobit dhe shantazhon bizneset shqiptare, kurse duke keqpërdorur pozitat zyrtare ai j'u shmanget detyrimeve të veta ligjore duke mos paguar tatimet ndaj shtetit', deklaroi Bekim Fazliu, PDSH.
I menjëhershëm ishte edhe reagimi i BDI-së e cila akuzat e tilla i quajti joserioze dhe të pabaza.
'PDSH-ja tani dy javë po i shmanget përgjigjeve që i kërkojnë me ngulm qytetarët tanë. BDI dhe çdo shqiptar është në pritje për të dëgjuar, nëse janë të vërteta shkrimet ne media se kandidimi i Iljaz Halimi vlen 2.4 milionë euro, aq sa është qiraja vjetore që përfiton Menduh Thaçi nga kompania 'Interpromet'.
Nga BDI-ja kujtuan opinionin se në mungesë të ideve, PDSH-ja po vazhdon të shërbehet me metoda politike që shqiptarët i kanë dënuar me votë në zgjedhje. Sipas BDI-së, shpifjet dhe akuzat e paqëndrueshme që ngre PDSH-ja flasin për shqetësimin që ka përfshirë atë nga oferta zgjedhore, gjithëpërfshirëse dhe vizionare e BDI-së. Valmir Kuçi