Vazhdojnë perplasjet mes PDSH-së dhe BDI-së dhe kundërpërgjigjet e liderëve të dy partive nga mitingjet partiake. Kreu i PDSH-së një ditë më parë akuzoi BDI-në se është ajo që e bëri uljen e cenzusit për zgjidhjen e presidentit nga 50% në 40%. Por, këtë mohon BDI-ja. Dy ditë më parë në Studeniçan të Shkupit, kreu i PDSH-së Menduh Thaçi drejtoi gishtin kah Gruevski dhe Ahmeti.
"Kush e ndërroi ligjin për zgjedhjet presidenciale që cenzusi prej 50% të zbret në 40%, Gruevski i Ahmeti në vitin 2009!", deklaronte Menduh Thaçi, Kryetar i PDSH-së.
Kreu i BDI-së Ali Ahmeti ka zgjedhur Strugën për të treguar të vërtetën e tij, se si u ul cenzusi për zgjedhjen e presidentit. Sipas tij, vendimi është marrë në vitin 2008, me pëlqimin e katër liderëve të forcave kryesore në vend, përfshi edhe Menduh Thaçin.
"Dëgjoj edhe ca arsye të ndryshme, gjoja se BDI-ja e ka ulur cenzusin nga 50% në 40%. Të nderuar vëllezër e motra, është e vërtetë që ky vendim është marrë në prani të 4 liderëve të partive politike në 2008. Prezent kanë qenë z. Cërvenkovski si kryetar shteti asaj kohe, Nikolla Gruevski si kryeministër, Zoran Zaev si ushtrues detyre kryetar i LSDM-së, unë Ali Ahmeti, z. Menduh Thaçi dhe shoku im Xhevat Ademi", tha në Strugë Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.
Alsat M ju sjellë edhe deklaratën e kreut të PDSH-së Menduh Thaci dhënë pas këtij takimi liderësh, ku u dakordua vendimi për uljen e cenzusit. Takimi është zhvilluar me datë 7 tetor të vitit 2008.
"U arrit një kompromis që cenzusi të mos hiqet por të zbritet në 40%. Mendoj se në kuadër të 40%, shqiptarët do të jenë të rëndësishëm në zgjedhjet e ardhshme presidenciale", kishte deklaruar Menduh Thaçi në vitin 2008.
Për tu arritur cenzusi prej 40% në këto zgjedhje presidenciale dhe Maqedonia të zgjedh presidentin e saj, në votim duhet të dalin 711.829 votues. Benjamin Arifi