Konsensusi politik, avancimi i përdorimit të gjuhës shqipe dhe përfaqësimi i drejtë dhe adekuat do të jenë themeli i programit të ardhshëm qeveritar të BDI-së. Konstrukti mbi këto themele, sipas partisë së Ahmetit, është marrja e hises shqiptare nga buxheti, si synim kryesor ekonomik i kësaj partie në mandatin e ardhshëm. BDI-ja prezantoi sot platformën e saj politike me 1081 projekte, me vlerë prej mbi 2 miliard eurosh, që duhet të sigurohen nga buxheti qendror, buxheti i komunave dhe partneritetet publiko-private.
"Ky themel përforcohet me implementimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, avancimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, përfaqësimin e drejtë, konsensuzin politik dhe rritjen e mirëbesimit. Mirëqenia qytetare, zhvillimi ekonomik dhe social përbëjnë konstruktin e kësaj shoqërie. Në mënyrë që ky konstrukt të jetë i qëndrueshëm është e domosdoshme shpërndarja proporcionale e buxhetit, zhvillimi i barabartë rajonal, ulja e papunësisë, arsim cilësor dhe një mjedis i pastër", u shpreh Fatmir Besimi, BDI.
BDI-ja pranon ngecjen në përfaqësimin e drejtë dhe adekuat në disa institucione, për shkak se kanë hasur në rezistencë në implementimin e këtij parimi. Për mandatin e ardhshëm, BDI paralajmëron mekanizëm për sanksione ndaj këtyre institucioneve.
"BDI-ja ka përcaktuar si prioritare segmentet që kanë mbetur prapa në realizimin e procesit të përfaqësimit të drejtë. Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit si organ përgjegjës për realizimin e kësaj dispozite kushtetuese, në kuadër të qeverisë do të ketë autorizime më të mëdha për të sanksionuar ministritë, agjencitë dhe organet e tjera të administratës shtetërore, në rastet kur ata nuk e respektojnë parimin e përfaqësimit të drejtë", tha Musa Xhaferi, BDI.
Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti pas dëgjimit të platformës, porositi anëtarësinë të sillet me përgjegjësi në mandatin e ri qeverisës, që sipas tij është i pakontestueshëm.
"Dje mbyllëm një kapitull, sot hapim një të ri, me çka ky kapitull, kjo platformë, ky program, kjo hartë, ku shkruhet dhe thuhet se ngado që të ecim, ngado që të shkojmë, nuk duhet harruar se ne jemi në objektivin satelitor, në syrin e popullit. Ne duhet të rrisim përgjegjësitë. Duke rritur përgjegjësitë, sigurisht që jemi shumë më afër jetësimit dhe materializimit të qëllimeve të cilat i kemi", deklaroi Ali Ahmeti, BDI.
Nga BDI-ja thonë se me prezantimin e programit 400 faqesh para Këshillit të Përgjithshëm të partisë, do të vendosin standard i cili do të ndiqet edhe nga partitë maqedonase. Benjamin Arifi