TIRANË - Ambientet e ish-regjimentit kimik në Shish-Tufinë, shumë shpejt do të kthehen në spital psikiatrik. Aktualisht, këto mjedise tejet të amortizuara shërbejnë si strehë e 130 familjeve rome, por në një të ardhme të afërt, sipas ministrit të Shëndetësisë, do të jenë zgjidhja për një numër të madh pacientësh që kanë probleme me shëndetin mendor, në rastet kur sëmundja e tyre rëndohet dhe shfaqin rrezikshmëri shoqërore. Projekti i ndërtimit të spitalit do të financohet nga Bashkimi Evropian.
Në fakt ambientet në të cilat do të ndërtohet spitali i ri i psikiatrisë, dikur kanë shërbyer për të ruajtur mbetjet e rrezikshme kimike që dilnin nga industria prodhuese e kohës së monizmit, por që tashmë janë asgjesuar. Ndonëse aktualisht kapanonet dhe laboratori janë amortizuar krejtësisht, e gjithë kjo sipërfaqe prej 12.600 metrash katorë vazhdon të ruajë statusin e zonës ushtarake dhe ku është e ndaluar të futesh.
Megjithatë kamera e A1 report, mundi të futet në rrethimin e brendshëm të këtij regjimenti dhe pamjet që sjell tregojnë qartë se vetëm një pjesë fare e vogël e gjithë kësaj prone përdoret, ndërsa pjesa më e madhe rrinë bosh.
E vetmja zonë e "banuar" e këtij regjimenti janë dy kapanone ku janë strehuar prej disa muajsh rreth 130 familj rome, për të cilët ende nuk është vendosur nëse do të vazhdojnë të qëndrojnë aty apo do t'u gjendet një vend i ri për t'i strehuar.
Vendimi i këshillit të ministrave sqaron se ish regjimenti i kimisë do të hiqet nga lista e pronave të ministrisë së Mbrojtjes, dhe do ti kalojnë asaj të shëndetësisë e cila do ta përdorë për ndërtuar spitalin e psikiatrisë ligjore si dhe një qendër kurative për të sëmurët me probleme të kolonës vertebrale.
Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, na shpjegon se përse është zgjedhur kjo zonë për të ndërtuar spitalin e ri psikiatrik dhe cilat kategori të të sëmurëv me problem mendore do të strehojë.