Instituti i Shëndetit Publik shpall në gjithë territorin e Shkupit, gjendjen e epidemisë nga fruthi. Vendimi erdhi pas mbledhjes së Komisionit të Sëmundjeve Ngjitëse. Nga janari e deri më sot janë konfirmuar 25 raste, 8 prej të cilëve janë infektuar drejtpërsëdrejti nga të sëmurë të tjerë. Gjysma e pacientëve janë në moshën prej 20 deri më 40 vjeç, ndërsa të tjerët janë fëmijë. Të gjithë të sëmurit, përveç një fëmije, nuk ishin vaksinuar më parë ndaj fruthit.
"Fëmijët e lindur në vitin 2012 kanë një përfshirje të vogël në vaksinim, diku rreth 80%, por që të jemi të sigurt dhe të mos shkaktohet epidemia, na nevojitet diku 95 deri më 98%. Prandaj detyra jonë është që t'u drejtojmë apel prindërve që t'i vaksinojnë këta fëmijë", deklaroi Liljana Lazarevska, instituti i shëndetit publik -- Shkup.
"Ndoshta do të thoni se numri nuk është i madh, por shumë kohë më parë, në territorin e Shkupit kemi pasur 1, 2 ose asnjë rast, kurse në shtet prej 3 deri më 5 raste të fruthit në vit, përveç epidemisë në vitin 2010, 2011 kur kishim 980 raste me të fruthit", tha Jovanka Kostovska, Udhëheqëse e sektorit të mbrojtjes shëndetësore në Qytetin e Shkupit.
Tani për tani nuk ka përhapje të sëmundjes në ambiente kolektive si çerdhe dhe shkolla, por sëmundja u përhap në kuadër të familjes. Mjekët dyshojnë se virusi është sjellë nga jashtë, duke pasur parasysh se filloi të përhapet rreth festave të vitit të ri. Fruthi mund të shkaktojë komplikime serioze, sidomos tek të rriturit. Një 25 vjeçare shtatzënë humbi foshnjën e saj për shkak të komplikimeve shëndetësore. Bojana Simonoviq