A1 Report - Veliaj: S'do ketë rritje të moshës për ata që janë në prag pensioni

2015-08-22 0

TIRANE- Sistemi i sigurimeve shoqërore dhe pensioneve duhet të reformohet. Këtë e ka shprehur ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, gjatë prezantimit të analizës vjetore të punës së Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe prezantimit të Arkivit Qendror të këtij institucioni. Ministri Veliaj i ka bërë thirrje opozitës që të japë konsensusin për miratimin e projektligjit të pensioneve, ndërsa tha se nuk do të ketë rritje të moshës së pensionet për ata që janë në prag pensioni.

"Nuk do të ketë rritje të moshës së daljes në pension për ata që janë në prag pensioni. Reforma në sistemin e sigurimeve shoqërore dhe pensioneve duhet të ishte realizuar më përpara. Ne i kemi votat për të kaluar reformën dhe do bëjmë atë që është e arsyeshme, por ftojmë opozitën të miratojmë me konsensus projektligjin për pensionet", tha ministri Veliaj.

Duke paraqitur problematikat që has sistemi i sigurimeve në vend, ministri Veliaj tha se duhet rritje e performancës së sistemin ndaj kontribuuesve dhe përfituesve. Sipas Veliajt shpesh rritja e pensioneve është bërë mbi mundësinë ekonomike të vendit, dhe kjo ka rritur barrën fiskale.

"Shpesh rritja e pensioneve është bërë mbi mundësinë ekonomike të vendit, dhe kjo ka rritur barrën fiskale. Duhet më shumë kujdes me borxhet. Po kështu duhet bërë progres për sigurinë në pagesa. Sigurimet shoqërore pjesë e rëndësishme e buxhetit, dhe trinomi: siguri inovacion dhe progres, është aksioma jonë. Duhet të kalohet nga shteti burokrat në shtet novator. Synohet përmirësimi i treguesve të shërbimit ndaj klientit. Synohet kthimi i kësaj agjencie në një qendër moderne të ofrimit të shërbimit cilësor ndaj klientit. Nevojë imediate është reformimi i sistemit të sigurimeve shoqërore. Duhet rritje e perfomancës së sistemin ndaj kontribuuesve dhe përfituesve. Po kështu do të përmirësohet infrastruktura, me njësi efikase shërbimi, në funksion të punës ndaj qytetarëve", tha ministri Veliaj.

Për ato kompani që nuk deklarojnë pagesat reale të punonjësve, ministri tha se do të shtohen penalitetet, duke u shprehur se si shkak i mosdeklarimeve reale, sistemi i sigurimeve has vështirë të mëdha.

"Nevojitet deklarim e pagave reale, pasi sistemi i sigurimeve po has vështirësi. Do të shtohen penalitetet për ato kompani që nuk deklarojnë pagesat reale të punonjësve", u shpreh Veliaj.

Duke u ndalur tek bashkëpunimi me vendet e rajonit për njohjen e viteve të punës për emigrantët në vendet ku jetojnë dhe punojnë, ministri Veliaj tha se po punohet në këtë drejtim.

"Jemi gati për nënshkrimin e marrëveshjeve me Bullgarinë dhe Rumaninë. Përshëndesim hapjen e negociatave me Italinë, ku jeton dhe punon një numër i madh i emigrantëve shqiptarë", tha Veliaj.

Më tej, ministri i Mirëqenies Sociale tha se problematike mbetet situata edhe sa i takon çështjes së komisioneve mjekësore, ndërsa kërkoi më shumë rigorozitet në dhënien e kempit.