TIRANE- Pas komenteve të bëra nga Kundëradmirali Kristaq Gërveni se nuk do të largohet nga posti i përfaqësuesit të Shqipërisë në NATO, edhe pse mandati i mbaron më 31 mars të këtij viti, ka reaguar Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura (SHPFA) të Republikës së Shqipërisë. Sipas këtij Shtabi, urdhri administrativ i Ministrit të Mbrojtjes "Për dorëzimin e detyrës dhe kthim në atdhe", zbatimi i urdhrit "nuk diskutohet, por zbatohet me shpejtësi dhe përpikmëri", kjo sipas pikës 5.2.2, neni 2, kreu V, i Rregullores së Jetës së Brendshme të Forcave të Armatosura, miratuar me urdhrin e Ministrit të Mbrojtjes Nr.1821, datë 09.11.2011.
Duke vënë theksin në zbatimin e urdhrit administrativ të Ministrit të Mbrojtjes, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura thekson se "nga çdo ushtarak i Forcave të Armatosura, pavarësisht gradës që ai mban, natyrës dhe përmbajtjes së urdhrit (përveçse kur urdhri bie dukshëm ndesh me Kushtetutën e Republikës), pritet marrja, sqarimi, zbatimi dhe raportimi për zbatimin e tij. Rikujtomë se rastet e mosbindjes ose moszbatimit të urdhrit nga ushtaraku, i cili është i detyruar t'i zbatojë e respektojë ato, përbën kundravajtje penale, ndërkohë që rasti në fjalë ul figurën e ushtarakut dhe përfaqësimin dinjitoz ndërkombëtar të ushtarakëve tanë në strukturat e Aleancës".
Sipas Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura ky urdhër administrativ i Ministrit të Mbrojtjes nuk cenon kompetencat e Presidentit, por rregullon marrëdhëniet mes punëdhënësit dhe punëmarrësit.
"Për ushtarakun në fjalë, eksiton edhe një praktikë tjetër disiplinore, ku Shtabi i Përgjithshëm, në zbatim të ligjeve dhe rregulloreve në fuqi, ka ndërmarrë propozimet dhe masat përkatëse. Urdhri administrativ për dorëzimin e detyrës dhe kthimin në Atdhe nuk cenon kompetencat e presidentit të Republikës por thjesht rregullon marrëdhëniet mes punëdhënësit dhe punëmarrësit pasi Gervenit i ka mbaruar afati 3 vjeçar i qëndrimit në këtë detyrë" thuhet në reagim.