A1 Report - Energjia elektrike, deri 5 vjet burg per pronaret e bizneseve qe e vjedhin

2015-08-22 3

TIRANE- Ashpërsohen masat për ata që abuzojnë me energjinë elektrike, apo që krijojnë borxhe duke mos e paguar. Për bizneset që vjedhin energjinë elektrike parashikohet që pronari i subjektit të dënohet deri në 5 vjet burg. Qeveria ka gati një amendament për të ndryshuar kodin penal, i cili ashpërson masat për ata që vjedhin energjinë elektrike, si për biznesin ashtu dhe për familjarët.

Në draft përcaktohet qartë se, vjedhja e energjisë nuk do të konsiderohet më si kundravajtje penale, por do të quhet krim ekonomik, i cili dënohet me burgim.

Në ligjin ekzistues ky përkufizim ka qenë i paqartë, pasi në nenin përkatës dy paragrafë kundërshtonin njëri-tjetrin, ku vjedhja e energjisë, njëherë cilësohej si kundravajtje dhe një herë si vepër penale.

Kjo bënte që gjykatat t'i interpretonin rastet e vjedhjes së energjisë, si kundravajtje administrative, pa dënim me burg. Drafti i ri ashpërson edhe masat ndëshkuese për ata familjarë që vjedhin energji më shumë se një herë, të cilët nuk shpëtojnë nga dënimi me burg deri në tre vjet.

Paralelisht me dy ndryshimet e mësipërme në ligj konsiderohet krim dhe dënohet me tre vjet edhe dëmtimi i qëllimshëm i matësve, që janë kthyer në një fenomen shumë të përhapur. Gjithashtu, edhe qenia debitor prej mospagesës së faturës së energjisë, i privon qytetarët nga marrja e disa shërbimeve të domosdoshme publike.

Disa prej shërbimeve ku duhet të keni me vete edhe librezën e dritave janë: regjistrimi i automjeteve, transferimi i pasurive të paluajtshme, rinovimi i licencave, e deri në lëvrimin e fondeve buxhetore, të cilat ndërpriten në rast se nuk paguhen detyrimet e energjisë.