Analistët: Takimi i nesërm nuk do të sjell asgjë të re

2015-08-22 0

Ndonëse zhvillimi i negociatave për emrin në kohë zgjedhjesh është praktikë e pazakontë, njohësit e rrethanave nuk presin asgjë spektakolare nga takimi i nesërm i ndërmjetësit Nimic me ambasadorët Jolevski dhe Vasilakis në Nju Jork. Megjithatë për ish diplomatin Alajdin Demiri, mbajtja e bisedimeve në kohë të fushatës parazgjedhore do të shërbejë si test për premtimet që do t'i japin subjektet politike, aq më shumë kur zgjedhjet parlamentare u iniciuan pikërisht me pretekstin për t'i zhbllokuar integrimet.

"Cilat do jenë pozitat e pushtetit të ri ose atij që do të dalë nga këto zgjedhje rreth këtij kontesti të Maqedonisë me Greqinë ose eventualisht do të jepet porosia që Maqedonia do të tentojë të anëtarësohet në BE dhe NATO jashtë procesit me Greqinë, që mund të jetë një nga vijat e orientimit të politikës së ardhshme për arsye se një nga arsyet kryesore përse u bënë zgjedhjet e parakohshme ishin pikërisht euro-integrimet dhe integrimet në NATO si motiv për zgjedhje të parakohshme e cila gjë do t'i obligojë partitë politike të kenë një qasje më konkrete", Alajdin Demiri, ish diplomat

Megjithatë sipas Demirit, fakti që Ivanov që në start të fushatës promovon idenë se emri nuk do të ndryshojë tregon qartë se integrimet nuk do të jenë në platformën zgjedhore të kësaj partie. Nga ana tjetër Sasho Klekovski, riaktivizimin e bisedimeve rreth emrit e shikon si mënyrë të përshpejtimit të procesit të bisedimeve deri në Samitin e NATO-s në shtator. Sipas tij, pas ndodhive në Krime, bashkësia ndërkombëtare do të rishqyrtojë pozicionet rreth anëtarësimit të Maqedonisë në Aleancë.

"Është kyçe nëse Samiti i NATO-së do të jetë Samit i zgjerimit apo jo. Nëse do të jetë Samit i zgjerimit dhe përderisa të vazhdojnë rivaliteti i cili për momentin ndodh në kufijtë lindor të NATO-s, mendoj se do të krijohet një moment i ri, nevojë për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe të gjendet nëse jo zgjidhje atëherë mënyrë se si do të zgjidhet emri. Sepse zgjidhja mund të jetë përmes disa etapash", tha Sasho Klekovski, analist.

Madje Klekovski pret një komunikim më intensiv mes qershorit dhe shtatorit me qëllim që të gjenden mënyra të reja drejt zgjidhjes së emrit dhe anëtarësimit të vendit në strukturat euro-atlantike. Semra Jakupi

Free Traffic Exchange