Ministria e Drejtësisë ka përgënjeshtruar deklaratat që erdhën nga PDSH-ja opozitare se kanë qenë të përjashtuar nga ndryshimet e Kodit Zgjedhor. Nga Ministria njoftojnë se, PDSH-ja njëlloj si të gjitha subjektet e tjera politike ka qenë e ftuar dhjetëra herë të merr pjesë në takimet e partive politike për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, por asnjëherë nuk u është përgjigjur ftesave.
"Si dhe subjektet e tjera politike ashtu edhe Partia Demokratike Shqiptare ka qenë e ftuar të merr pjesë në të gjitha takimet e përfaqësuesve të partive politike në të cilat është dakorduar përmbajtja e Kodit të ri zgjedhor. Këtë pohim mund lirisht ta dëshmojmë me më shumë se dhjetëra ftesa të dërguara në adresë të kësaj partie, e cila nuk u përgjigj këtyre ftesave në asnjë rast", thuhet në reagimin e Ministrisë së Drejtësisë.
Deklaratat e djeshme të PDSH-së se nuk do ta pranojnë rezultatin zgjedhor në Kërçovë dhe disa fshatra të Shkupit, BDI-ja i sheh në funksion të krijimit të alibive për humbjen e zgjedhjeve. Zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani tha se arsyetimet e tilla janë të zakonshme për PDSH-në pas çdo dështimi në procese zgjedhore.
"Është e njohur se gjithmonë kur ka përgatitur terrenin për pranimin e humbjes, PDSH-ja ka paralajmëruar mosnjohjen e rezultatit zgjedhor. Madje, kjo ka ndodhur gjithmonë sapo ka përfunduar procesi i votimit. Sivjet, ata paralajmërojnë një gjë të tillë shumë më herët, që në startin e fushatës parazgjedhore. Kjo le të kuptohet se ata janë të bindur se do të vazhdojnë trendin e humbjes, madje në këtë rast shumë më thellë", deklaroi Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.
Pos për kodin zgjedhor dhe njësinë e dytë dhe të gjashtë, vet kryetari i PDSH-së Thaçi dje tek ambasadori i OSBE-së në Maqedoni Gert Arens u ankua edhe për rezultatet e larta pro BDI-së në Kërçovë, duke kërkuar nga OSBE-ja që të ndërpritet, siç tha ai, terrori dhe frikësimi i votuesve në këto zona. Benjamin Arifi