A1 Report - Shperthim eksplozivi te banesa e kreut te komunes se Farkes

2015-08-22 1

TIRANË - Një sasi eksplozivi shpërtheu në oborrin e vilës tre katëshe të kryetarit të komunës së Farkës, Fatbardh Plaku.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:40 pas mesnate duke u gdhirë dita e sotme (e martë 25 mars).

Mësohet se nga jashtë murit rrethues të vilës që ndodhet në Farkë të Vogël, në periferi të Tiranës, është hedhur për në brendësi të oborrit një sasi eksplozivi, rreth 50-100 gr.

Fatmirësisht nga shpërthimi ka patur vetëm dëme materiale, dhe nuk ka dëmtuar asnjë prej pjesëtarëve të familjes Plaku, të cilët në atë orë kanë qenë në gjumë.

Policia dhe prokuroria e Tiranës kanë ngritur një grup të zgjeruar hetimor ku janë përfshirë edhe oficerët antiterror.

HETIMET
Nuk dihen ende shkaqet në lidhje me këtë ngjarje, ndërsa është marrë në pyetje kreu i Komunës së Farkës. Policia po verifikon pamjet e regjistruara nga 10-12 kamera të cilat survejonin ambientet e jashtme të vilës tre katëshe.

Fatbardh Plaku është i zgjedhur i Partisë Demokratike si kreu i komunës së Farkës. Ai është në mandatin e dytë të tij në këtë zonë. Kjo është një zonë e gjerë në lindje të Tiranës, me një sipërfaqe të gjerë. Disa herë ka pasur shpesh edhe probleme në lidhje me ndërtimet në këtë zonë.


ME 1 MAJ 2011 U SULMUA VELLAI I TIJ
Në 1 maj të vitit 2011, pak ditë para ditës së zgjedhjeve lokale, katër persona sulmuan duke goditur dhe plagosur vëllanë e Fatbardh Plakut, Ganiun. Ky i fundit u godit me shqelma dhe sende të forta, ndërsa pas ngjarjes për policinë ka deklaruar se, nuk i njihte personat që e kishin sulmuar. Sipas policisë kjo ngjarje lidhej me kandidimin e Fatbardh Plakut në krye të Komunës së Farkës.