A1 Report - Fluturimi Mh370 ra ne Oqeanin Indian, 239 jete te humbura

2015-08-22 169

MALAJZI- `Nuk ka asnjë të mbijetuar` nga fluturimi MH370, ky është mesazhi që kompania Ajrore 'Malaysia Airlines', iu ka dërguar në celular familjarëve të 239 pasagjerëve që ndodheshin në bordin e 'Boing 777' i zhdukur në datën 8 mars. Gjithashtu edhe kryeministri i Malajzisë Najib Rezak, gjatë konferencës për shtyp të dhënë rreth orës 15 me orën tonë, u shpreh se avioni i zhdukur ka përfunduar në ujrat e Oqeanit Indian.

Rezak nënvizoi se ka marrë të dhëna nga agjencitë e inteligjencës, në të cilat thuhet se pozicioni i fundit i avionit, ka qenë në Perëndim të Perth-it në Australi, larg nga çdo pistë ku mund të bënte uljen e tij. Këto janë informacionet më të fundit zyrtare, që vijnë në lidhje me avionin e zhdukur, pas 17 ditë kërkimesh, ku u mobilizuan disa vende të ndryshme. Gjatë këtyre ditëve, kërkimet u fokusuan në Oqeanin Indian, pas disa pjesëve të para nga sateliti, që mendohet të jenë të avionit të zhdukur.

Paraditen e të hënës edhe një tjetër avion i kompanisë 'Malaysia Airlines', ka bërë një ulje të detyruar në Hong Kong, për shkak të një defekti në një gjenerator.

Kjo gjë është bërë e ditur nga vetë Kompania Ajrore, ku shpjegohet se avioni MH066 i nisur në orën 23.37 të ditës së diel nga Kuala Lumpur i drejtuar për në Seul, nuk ka mundur të mbërrijë në destinacion duke bërë uljen e detyruar. 271 pasagjerët u transferuan më pas me avionë të tjerë për në Seul.

Kompania ajrore 'Malaysia Airlines', konsiderohet si një kompani e besueshme dhe aksidenti më i keq në historinë e saj ka ndodhur në vitin 1977, ku humbën jetën 100 persona.