A1 Report - Kallezimi, Task-Forca nis hetimet ndaj ish-kreut te SHIU, Ylli Zyla

2015-08-22 1

TIRANË - Prokuroria e Tiranës nis hetimet ndaj ish-shefit të Shërbimit Informativ Ushtarak (SHIU), Ylli Zyla, ku një grup prokurorësh të njësisë Task-Forcë kanë nisur verifikimin e padisë ndaj Zylës dhe 6 personave të tjerë të paditur për shpërdorim detyre.

Lajmi konfirmohet nga burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme, ku pak ditë më parë nga Ministria e Mbrojtjes ka mbërritur kallëzimi penal për ish-shefin e SHIU-t dhe 6 personave të tjerë.

Zyla, sipas burimeve akuzohet për shpërdorim detyre duke shkaktuar dëme ekonomike në blerjen e pajisjeve të përgjimit, ku mes tyre bën pjesë një kompjuter valixhe përgjimi frekuencash, kamera sigurie, mikrofona përgjues, si dhe disa sisteme të posaçme përgjimi me kosto rreth 1.5 milionë euro.

Burime për A1 Report kanë zbardhur faktin se nga padia rezulton, se pajisjet janë blerë në shkelje të procedurave për fondet publike pasi është përdorur një procedurë blerje e përshpejtuar ku ka mjaftuar firma e ministrit imami dhe kërkesa për blerjen e pajisjeve nuk është publikuar në asnjë njoftim publik.

Të njëjta burime deklaruan se nga auditimi i bërë në Ministrinë e Mbrojtjes ka rezultuar se pajisjet e blera në një pjesë të tyre, sot janë jashtë funksionit. Gjatë kohës që Zyla ishte në detyrë ka pasur akuza të shumta nga ish opozita, e cila tashmë është pushtet për përdorim të këtyre pajisjeve për përgjime për interes politik të ish-kryeministrit, Sali Berisha dhe ish-ministrit të Mbrojtjes Arben Imami.

Zyla dha dorëheqjen nga kreu i SHIU-t për t'u transferuar si kreu i Policisë Ushtarake, nga ku u shkarkua vjeshtën e vitit të kaluar nga ministrja Kodheli. Ministria e Mbrojtjes ka depozituar edhe 2 kallëzime të tjera në Prokurori në ngarkim të ish ministrit Arben Imami dhe stafit të tij.

Njëri kishte të bënte me 1.2 milionë USD fonde për reklamat televizive të dërgua në një media pranë ish kryeministrit Berisha, dhe tjera ka të bëjë me shitjen e eksplozivëve nga Uzina dhe magazinat ushtarake të Mjekësit.