TIRANE - Avokati i Popullit, Igli Totozani në një intervistë ekskluzive për 'A1 Report' deklaroi se institucioni që ai drejton nuk do të tërhiqet nga nisma për hapjen e dosjeve pasi ky është një rekomandim i ndërkombëtarëve dhe kërkesë e shoqërisë civile.
Në fjalën e tij Totozani pranoi se nuk ka akoma asnjë reagim zyrtar nga Kuvendi pavarësisht se rekomandimi i Avokatit të Popullit për këtë çështje i është dorëzuar parlamentit tre javë më parë.
"Mund t'ju them se reagime nga forca politike në mënyrë zyrtare nuk kemi pasur. Natyrisht që kemi ndjekur me shumë vëmendje debatet që bëhen në mediat shqiptare ku ka pasur edhe deklarata deputetësh të forcave të ndryshme politike, analistë të ndryshëm kanë shkruar, ka një iniciativë nga shoqëria civile për të përgatitur një ligj të tillë por zyrtarisht deri më sot nuk kemi marrë ndonjë përgjigje nga ata subjekte të cilëve ne ju kemi dërguar rekomandimin tonë." është shprehur Avokati i Popullit.