Nesër fillon fushata për zgjedhjet presidenciale

2015-08-22 0

Nesër fillon zyrtarisht fushata për zgjedhjet presidenciale në të cilat garojnë 4 kandidatë, Gjorge Ivanov, Stevo Pendarovski, Zoran Popovski dhe Iljaz Halimi. Katër kandidatët do të fillojnë takimet nga Shkupi e Ohri ndërsa forma e prezantimit para qytetarëve do të jetë përmes mitingjeve. VMRO DPMNE-ja do ta nisë fushatën e tij nga Ohri ndërsa tre të tjerët në Shkup. Ivanovin do ta mbështesin edhe shumë personalitete të njohura në shoqëri, njoftojnë nga VMRO DPMNE-ja.

"Tradicionalisht VMRO DPMNE-ja do ta fillojë karvanin në Ohër, do të ketë mitingje të mëdha në të gjitha qytetet në mbarë vendin. Do të ketë takim dhe kontakte me qytetarë në të gjitha vendet e banuara në Maqedoni, madje karakteristikë kryesore edhe në mandatin 5 vjeçar të Ivanovit ishte afërsia me qytetarët. Me të do të ketë shumë personalitete të njohura që kanë shprehur dëshirë ta mbështesin. Bëhet fjalë për personalitete që janë të njohur në shoqëri dhe nuk janë pjesë e nomenklaturës politike. Megjithatë do të jetë një fushatë e gjerë pozitive", u shpreh Ilija Dimovski, VMRO DPMNE.

LSDM-ja do ta promovojë nesër kandidatin presidencial Stevo Pendarovski në Konventën që pritet të mbahet në Shkup. Nga kjo parti njoftojnë se kësaj radhe, fushata do të jenë ndryshe nga proceset e kaluara zgjedhore dhe se më tepër do të fokusohen në takimet me qytetarët duke mos përjashtuar edhe mitingjet.

Prezantimi i kandidatit të PDSH Iljaz Halimi do të fillojë me një miting në komunën e Çairit në Shkupit. Edhe PDSH-ja do të praktikojë takimet me qytetarët, sipas parimit derë më derë dhe pa mitingje masive. Ndërsa lëvizja qytetare për Maqedoninë do ta fillojë fushatën nga komuna Karposh e Shkupit me një miting qendror. Nga kjo parti paralajmërojnë se do të realizojnë fushatë pozitive pa fyerje dhe gjuhë urrejtjeje. Nga zyra e Avokatit të Popullit njoftojnë se nga nesër qytetarët mund të denoncojnë shkeljen e të drejtës zgjedhore dhe parregullsi të tjera gjatë fushatës, çdo ditë nga ora 8 deri në orën 16. Avokati i Popullit do të mbrojë të drejtat e qytetarëve duke ndërmarrë masa urgjente për veprim nga ana e organeve kompetente dhe kujton se cenimi i të drejtë së votës është vepër e ndëshkueshme me ligj. Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 13 prill. Gjyltene Rexhallari