Arsimi ishte një nga sferat ku BDI-ja i është përkushtuar me një vëmendje të veçantë duke filluar nga ai fillor e deri tek ai i lartë. Kështu theksojnë në BDI, gjatë paraqitjes së bilancit për investimet ne këtë sferë, gjatë mandatit 2011-2014. Sipas tyre në këtë sferë është investuar kryesisht në infrastrukturë në shumë rajone të vendit duke iu siguruar në këtë mënyrë kushte më të mira nxënësve.
"Ndërtimi i objekteve të reja për shkollat është dëshmi e qartë se ne kemi investuar jo vetëm për të përmirësuar gabimet e të tjerëve por edhe për të siguruar kushte më të mira dhe për të garantuar arsim cilësor... Kërkesa shqiptare për universitet në gjuhën shqipe u përmbush tërësisht, BDI duke pas për qëllim realizimin e kësaj kërkese legjitime dhe duke dashur të ndërtoj shoqëri të arsimuar dhe individ të kualifikuar u zotua që këtë ëndërr ta bëjë realitet. Vetëm për investime kapitale nga viti 2008 deri në 2014 janë ndarë 13 milion euro dhe janë transferuar objekte ekzistuese në pronësi të USHT-së", tha Musa Xhaferri, zv kryeministër.
Njohësit e kësaj fushe nuk mohojnë investimet në ndërtimin e objekteve por theksojnë se duhet më tepër të investohet në ngritjen e cilësisë së arsimit, rritjen e buxhetit për shkollat në 10 % nga buxheti i përgjithshëm dhe të ketë debat publik për të gjitha reformat në këtë sferë.
"Nuk kemi ngritje të cilësisë por kemi ngritje në ndërtim të kapaciteteve, pra të shkollave të reja se dihet që shkollat shqipe gjithmonë kanë qenë të pandërruara, pa kushte por ne në LASH vazhdimisht kërkojmë kushte për arsim, të furnizohen gjitha shkollat me mjete mësimore sepse në shkollat tona por edhe ato maqedonase nuk investohet në mjete mësimore dhe kërkojmë që të ketë buxhet më të madh për shkollat", u shpreh Nuhi Dardhishta, kryetar i LASH-it.
"Gjithsesi se ka pas një lëvizje përpara edhe ato gjëra duhet të pranohen mirëpo duhet vazhdimisht të kemi parasysh që të bëjmë llogari. Në kohën kur BDI-ja promovon programet e saj në sferën e arsimit në Pllaushnik në Ohër ka investime prej 26 milion euro për një gjoja universitet krishtero- arsimor i para mesjetës për të cilin pala maqedonase pretendon se është më i vjetër dhe do ta promovojë atë sa Surbona dhe Bolonja, ndaj e gjithë kjo i zbeh sukseset në sferën e arsimit në gjuhën shqipe në Maqedoni", deklaroi Hasan Jashari, profesor.
Jashari thekson se në këtë sferë vëmendje duhet t'i kushtohet cilësisë së arsimit, kushteve të mësimdhënësve dhe ndarjen e tyre, si dhe të mos mohohen aktivitetet e personaliteteve që kanë kontribuar në sferën e arsimit edhe para ardhjes së BDI-së në skenën politike. Gjyltene Rexhallari