Rreth 200 burra të paarmatosur sulmuan sot një bazë ajrore ukrainase në Novofedorivka, në perëndim të Krimesë. Sipas mediave vendase, personat hynë në bazë dhe nisën të thyenin xhamat e dritareve. Ushtarakë ukrainas bënë qëndresë në brendësi të godinës dhe hodhën tymues në drejtim të agresorëve. Situata vazhdon të jetë kritike në Krime, në kohën që tensionet janë të larta mes etnive, rusëve dhe ukrainasve. Ushtarët e fundit ukrainas janë duke u kthyer nga Krimeja e pushtuar nga rusët. Autoritetet ukrainase thanë se megjithë humbjen e Krimezë, ushtarët do të priten si heronj të vërtetë dhe jo si dezertorë. Ministria ukrainase e mbrojtjes shtoi se njoftimet e shpërndara nga shërbimet sekrete ruse, sipas të cilave, repartet ushtarake ukrainase që do të kthehen nga Krimeja do të shkrihen dhe se prokuroria ukrainase do t'i gjykojë si dezertorë dhe për tradhti të lartë ndaj atdheut, janë kryekëput mashtrime. Ndërkaq, Kievi vazhdon luftën diplomatike me Rusinë. "Duke aneksuar Krimenë, presidenti rus Vladimir Putin e humbi përgjithmonë Ukrainën", deklaroi ish kryeministrja ukrainase Julia Timoshenko, në paraqitjen e parë publike pas daljes nga burgu. "Putini është armiku numër 'një' i Ukrainës që mori tokën tonë me anë të armëve", - deklaroi Timoshenko, heroina e Revolucionit Portokalli dhe kandidate për presidente në zgjedhjet e ardhshme të majit. "Ftoj popullin tim të jetë i gatshëm për të luftuar nëse Rusia hyn në Ukrainën kontinentale" - theksoi ajo. Autoritetet e reja të Kievit janë në anën e BE-së e SHBA-së, ndërkohë që Rusia, pas aneksimit të Krimesë, po përjeton valë sanksionesh të gjata. Alsat-M