BDI ka lëshuar një sërë akuzash në adresë të PDSH për, siç thonë nga partia e Ahmetit, veprimet anti-shqiptare që po i bën në vazhdimësi partia e Thaçit. Sekretari i përgjithshëm i BDI-së Abdilaqim Ademi akuzoi PDSH për votën e përmbajtur të anëtarit të KSHZ Bedredin Ibrahimi në lidhje me parashtresën e BDI për votuesit fiktiv në listën zgjedhore. Sipas tyre kjo votë nënkupton votë pro bizneseve të tyre personale dhe mospërfillje të mërgatës shqiptare.
"Me këtë vendim, ky i fundit mund t'i ketë siguruar vetes dhe biznesit familjar edhe një ditë më shumë komoditet, por ka humbur përgjithmonë dhe atë besim minimal që shqiptarët mund t'ia kenë falur. Për të sqaruar opinionin, ne pyesim publikisht PDSH-në dhe kreun e saj, nëse kjo votë në KSHZ është njëlloj si dhe kandidimi për president, pjesë e marrëveshjes për "Interpromet"-in?", deklaroi Abdilaqim Ademi, BDI.
Nga BDI shtruan edhe dilemat rreth pronës së familjes Thaçi në Tetovë dhe privatimzin e tyre.
"Në fund, duam të parashtrojmë edhe një herë pyetjet që bën sot çdo shqiptar: A është e vërtetë se, rreth 70% e pronës shtetërore që kishte dikur Tetova, sot është pronë e familjes Thaçi dhe e farefisit të tij? Dhe, si e privatizoi Menduh Thaçi këtë pronë që është krijuar në dekada, me mundin dhe me djersën e shqiptarëve dhe të tetovarëve?", tha Abdilaqim Ademi, BDI.
Nga PDSH nuk deshën të komentojnë akuzuat e BDI-së. Në konferencën e sotme për shtyp, PDSH-ja publikoi tema të caktuara, duke mos pranuar të përgjigjen në pyetje tjera të mediave. Gjyltene Rexhallari