A1 Report - Haxhinasto:Aksi Berat-Lushnje me rëndësi për ekonominë shqiptare

2015-08-22 0

BERAT- Ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto ka inspektuar sot punimet e 'By Passit' të Urës Vajgurore, në aksin rrugor Berat-Lushnje, ndërsa është shprehur se ky aks është i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit.

I shoqëruar nga drejtori i përgjithshëm i rrugëve dhe deputeti i LSI-së në këtë qark, Gledion Rehovica, ministri u ndal në disa inspektime punësh.

"Ky është një segment rrugor i cili do të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimin e mëtejshëm të kësaj zone dhe në një aktivitet ekonomik më intensiv për këtë zonë të rëndësishme për ekonominë e Shqipërisë. Shikoj se punimet po ecin me ritme të shpejta dhe gjasat janë që punimet të mbarojnë para kohe." tha Haxhinasto ndërsa shtoi: " Interesi dhe vëmendja jonë është që kjo rrugë të bëhet me standardin më të lartë për faktin se kjo është një zonë me aktivitet të dendur ekonomik si dhe me qarkullim të lartë. Pjesë e këtij projekti është edhe ndërhyrja në bashkinë e Urës Vajgurore me 'By Passin' e saj dhe të gjitha përfitimet e tjera që do të ketë kjo bashki përsa i përket sheshit, qendrës së qytetit dhe rrugëve lidhëse me të." tha në fjalën e tij ministri Haxhinasto.

I pyetur në lidhje për përmirësimin e akseve rrugore Berat -- Fier dhe Berat -- Skrapar, ministri u shpreh se këto janë projekte që janë në axhendën e financimit të qeverisë.