A1 Report - Sillen nga Anglia 49 emigrante ilegale shqiptare, Tahiri: Nuk jepet me azil

2015-08-22 8

TIRANE - Me një avion të posaçëm, 49 emigrantë ilegalë shqiptarë janë riatdhesuar sot nga Anglia duke i sjellë në Aeroportin e Rinasit. Të pranishëm në aeroport kanë qenë edhe Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, Ministri i Shtetit në Britani, John Derek Taylor Holbeach dhe ambasadori i Anglisë në vendin tonë Nicholas Cannon.

Duke folur pas deportimit të shqiptarëve, ministri Sajmir Tahiri tha se, sjellja e tyre në Tiranë është bërë "bazuar mbi marrëveshjen e ripranimit". "Ne jemi të vendosur të luftojmë trafikun e njerëzve dhe të parandalojmë çdo përpjekje për emigrim të paligjshëm dhe azilkërkuesit", tha Tahiri.

Ministri Tahiri tha se, "kërkoj nga të gjithë shqiptarët që të respektojnë lëvizjen e lirë dhe sot është e pa mundur marrja e azilit në BE, pasi Shqipëria konsiderohet vend i sigurt dhe nuk jepet azil. Do luftojmë të gjithë ata që kërkojnë të përfitojnë nga ky subjekt kriminal".

Ndërkaq ministri Britanik i Shtetit John Derek Taylor Holbeach tha se, "emigracioni ilegal është i dëmshëm për Shqipërinë dhe Anglinë". "Sot kam ardhur bashkë me një avion ku kemi sjellë 49 persona të cilët ishin në Britani në mënyrë ilegale dhe janë deportuar", tha gjatë fjalës së tij për median, ministri Holbeach.

Sipas tij, "marrëdhëniet që kemi mes dy vendeve janë të tilla, që duhet të përballemi me këto fenomene. Në emër të qeverisë Britanike jam i lumtur për këtë bashkëpunim që kemi për këto fenomene".

Duke folur për Shqipërinë ai tha se, është një vend i bukur dhe i ngrohtë. "Është një vend i bukur dhe gëzohem që jam këtu sot. Kur u nisa nga Londra ishte një ditë shumë e ftohtë dhe shikoj që pushimet në një kohë me diell në Tiranë do të jenë një gjë shumë e bukur", përfundoi deklaratën e tij, ministri Britanik i Shtetit John Derek Taylor Holbeach.

Mësohet se emigrantët shqiptarë kanë qëndruar në mënyrë të paligjshme në Angli, përpara se të ndaloheshin nga autoritetet britanike dhe të dërgohershin sërish në vendin tonë. -