A1 Report - PS, Bushati: PD ne opozite eshte kthyer zedhënese te pasigurise

2015-08-22 0

TIRANË - Partia Socialiste ka reaguar pas deklaratës së bërë nga deputeti i PD-së, Ridvan Bode në lidhje me reagimin e FMN, që sipas saj është e alarmuar për shkak të rritjes së borxhit.

Me anë të sekretarit të Ekonomisë, Ervin Bushati, PS tha se, "gjatë 8 viteve të qeverisë Berisha, Shqipëria u zvarrit në shumë drejtime. Papunësia arriti kulmin, ekonomia u zhyt në krizë, korrupsioni lulëzoi ngado".

"Sot, në opozitë, Partia Demokratike është kthyer në zëdhënëse të pasigurisë- duke kërkuar të mbjellë frymën e pasigurisë kudo. Gënjyen në dhjetor kur thanë se çmimi i karburantit do të rritej, por në fakt çmimi u ul", tha Bushati.

Sipas sekretarit të Ekonomisë "deshën të mbillnin pasiguri kur pretendonin se çmimi i bukës do të shtrenjtohej: por në fakt çmimi nuk ndryshoi. Sot dhe dje kanë vënë kujën se gjoja do të rriten taksat, por realiteti është ndryshe".

Bushati tha se, "qeveria e re i ka dhënë 97% të punonjësve më shumë siguri, më shumë të ardhura- përmes uljes së ndjeshme të taksave. Biznesi i vogël sot paguan më pak, ndërkohë që biznesi i madh ka gjetur një partner tek qeveria. Të dhënat nga doganat dhe tatimet janë inkurajuese dhe shifrat japin optimizëm se Shqipëria ka filluar të ketë progres".

"Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon rritje të ndjeshme ekonomike dhe progres në vitet që do të vijnë. Qeveria është e vendosur dhe po punon për të sjellë progres, siguri, inovacion", përfundoi deklarata e sekretarit të Ekonomisë, Ervin Bushati.