A1 Report - Vlorë, rikthehet Fredo Berberi, 2 muaj pas vënies tritol në makinë

2015-08-22 11

VLORË- Rrëfehet për herë të parë pas atentatit me tritol të telekomanduar në automjet që për pak i mori jetën, kryetari i komunës Qendër në Vlorë, Fredo Berberi. Në një intervistë për mediat, 2 muaj pas ngjarjes së rëndë, ai sot është kthyer sërish në punë, në një gjendje të stabilizuar shëndetësore.

Në zyrën e tij në komunën Qendër, Berberi thotë se atentati ndaj tij ka ardhur për shkak të detyrës, ndërsa hedh poshtë të gjitha pistat e konfliktit të pronësisë, apo ndonjë konflikt tjetër të mundshëm.

"Kjo është dita e parë e punës dhe intervista e parë pas ndodhjes së incidentit. Edhe pse është folur jo për hakmarrje etj etj, nuk kam patur asnjë konflikt as mbi pronësinë. Konflikti i pronësisë bie poshtë se nuk kam asnjë pronë. Nuk kam patur asnjë konflikt personal me ndonjë person', ka thënë Berberi. "Unë komunën nuk e kam marrë me dhune duke i bërë keq njeriut. Unë jam në krye të komunës se më votuan banoret", ka vijuar ai.

Berberi ka sqaruar se në zgjedhjet e ardhshme lokale do të tërhiqet nga gara për të drejtuar sërish postin e kreut të komunës.

"Unë si kryetar komune nuk do kandidoj më. Kjo si pasojë e shëndetit tim. Por unë do jem gjithmonë me mish dhe me shpirt, do ndihmoj për mbarëvajtjen e punës", ka thënë kreu i komunës Qendër.

Atentati me rreth 120 gram tritol të telekomanduar në mjetin që ai drejtonte u shënua ndaj Berberit më datë 20 janar të këtij viti në aksin Vlorë-Skelë.