TIRANE- Urdhri i Mjekut ka marrë masa disiplinore me paralajmërim dhe 100 mijë lekë gjobë ndaj dy mjekëve të spitalit të Traumës, Alfred Gega dhe Sami Koçeku, për deklaratat e dhëna më 21 janar. Komisioni disiplinor, pas kërkesës të ministrisë së Shëndetësisë për hetim të deklaratave të këtyre që sipas saj kishin gënjyer duke thënë se protestuesit e vrarë u qëlluan nga afër, ka konkluduar se ata kanë shkelur etikën profesionale dhe kanë nxjerrë sekretin profesional.
Vendimi do t'i dërgohet të hënën Ministrisë së Shëndetësisë, e cila mund ta pranojë ose të vendosë ta apelojë. Deklaratat janë bërë në analizën vjetore të Urdhrit të Mjekut, ku është vënë theksi tek lëvizjet e shumta në administratën e shëndetësisë, të cilat pengojnë zhvillimin cilësor të këtij sektori jetik.
Për vitin 2013 në zyrat e Urdhrit të Mjekut janë depozituar 57 ankesa nga pacientët ndaj mjekëve, nga të cilët për 3 mjekë është marrë masa disiplinore ndërsa 8 janë në ndjekje nga organet e drejtësisë. Ndërsa për vitin 2014 deri më tani janë depozituar 13 ankesa ndaj punës së mjekëve.