TIRANE- Taksistët e kryeqytetit kanë bllokuar sheshin "Nënë Tereza" për rreth dy orë, në formë proteste duke kërkuar të ndëshkohet informaliteti dhe të ndryshojë legjislacioni për të drejtën e licencës. Sindikata e Taksistëve kërkoi gjithashtu që të anulohet vendimi i Ministrisë së Transporteve për kufizim e numrit të licencave.
Të pakënaqur nga qeveria e kaluar, ata ia drejtojnë kërkesat qeverisë aktuale me besimin që ajo do të zbatojë ligjin.
Gjithçka fillon me ngjyrën e verdhë. Atë që e identifikon nëse taksia është e licencuar apo jo. Sipas të dhënave të sindikatës shqiptare numri i taksive të licencuara në vend është 1 mijë, ndërsa atyre që punojnë në mënyrë të jashtëligjshme është më shumë se dyfish.
Nëse të parëve u duhet që çdo vit të paguajnë rreth 170 mijë lekë taksa, të dytët punojnë vetëm për të fituar.