A1 Report - Tiranë, Bulevardi i ri, banoret perplasen me policine bashkiake

2015-08-22 0

TIRANË- Është tensionuar situata tek Bulevardi i Ri tek stacioni i Trenit, ku banorë të zonës janë përplasur me përfaqësues të policisë Bashkiake të Tiranë.

Paraditen e sotme INUK kishte shkuar për të pezulluar punimet për zgjerimin e bulevardit. Firma kontraktore që kryen punimet lajmëroi policinë bashkiake për veprimin. Atje shkoi Enno Bozdo, nënkryetari i bashkisë së Tiranës për të kërkuar sqarime se përse u ndërprenë punimet ndërkohë që gjykata kishte dhënë të drejtë për vijimin e punimeve.

Banorët janë përplasur me policinë pasi ata kërkojnë të mos vazhdojnë punimet pa u rivlerësuar fondi i kompensimit.

ORA 14:40 BOZDO:QEVERIA KA NË DORË NDRYSHIMIN E ÇMIMIT
Në një dalje të dytë, nënkryatari i bashkisë, Eno Bozdo qartësoi se ndryshimi i çmimit nuk është në dorë të bashkisë por të kryeministrit dhe të qeverisë.
"Kjo nuk është çështje e Bashkisë së Tiranës", tha ai. Sipas tij çështje e bashkisë është ndërtimi i projektit.

ORA 14.30, BANORËT: BASHA E BERISHA TË SHFUQIZOJNË VKM-në, TA KOMPENSOJË TOKËN ME ÇMIMIN E TREGUT
Banorët për 'A1 Report' shprehen se përfaqësues të bashkisë, "me 200 forca policia nënkryetari është e treta herë që vjen në mënyrë të maskuar. Unë kërkoj vlerësimin real të tokës sime", thotë një banore.

"Në fletore zyrtare", vijon ajo " janë deklaruar vetëm 100 milionë lekë. Unë dua vlerën e tregut. Dua shfuqizimin e VKM së hajdutit Sali Berisha dhe Lulzim Basha. Të mendojnë mirë kur marrin shtëpitë. Vlera e tregut është mbi 1 mijë euro ndërkohë ato na japin vetëm 100 milionë", thotë banorja.

BOZDO: DO NGRIHET PADI PENALE
Nënkryetari Eno Bozdo sërish akuzoi kryeministrin Edi Rama se sot ka urdhëruar INUK-un të bllokojë punimet e bulevardit të ri në Tiranë, projekt i Bashkisë së Tiranës. Ai i cilësoi bllokimet "vendime bandite, të marra nga një qeveri bandite që nuk njeh asnjë ligj".

Ai thotë se Inspektorati Kombëtar i Ndërtimit dhe Urbanistikës vepron në bazë të urdhrave të kryeministrit dhe nuk ka të bëjë me moskuptim të vendimeve të Bashkisë dhe Gjykatës Administrative që ditë më parë rrëzoi vendim e INUK-ut për bllokimin e punimeve të bulevardit.

Ai tregon se Inspektorati Kombëtar i Ndërtimit dhe Urbanistikës, nuk ka asnjë të drejtë juridike të ndërhyjë në territorin e bashkisë.

"Nuk kemi të bëjmë me një mos kuptim të vendimeve, por me një porosi politike të Ramës. Sot në mënyrë banditeske bllokon punimet. INUK nuk ka asnjë lloj juridiksioni mbi territorin e Bashkisë së Tiranës. Prandaj është e kuptueshme që pas këtyre vendimeve është kryeministri Edi Rama dhe asnjë tjetër nuk fshihet pas Inspektoratit Kombëtar i Ndërtimit dhe Urbanistikës", thotë Bozdo.

Nënkryetari i Bashkisë paralajmëroi se ndaj këtij vendimi do të ngrihet një padi penale. Gjithashtu, bashkia ka lajmëruar edhe prokurorinë.