TORINO - Universiteti i Shkencave Gastronimike do të organizojnë disa aktivitete 5 ditore të quajtur "Tavole Accademiche - Tavolinat akademike", në Torino të Italisë. Do të organizohet një darkë ekselence e përgatitur nga chef-i shqiptar i kuzhinës Altin Prenga.
Kjo darkë që do të zhvillohet të enjten e 20 marsit në orën 20:00, do të ketë një menu të pasur me pjata tradicionale nga disa qytete të Shqipërisë, ku përfshihen specat turshi, Tava e Elbasanit, pastërmaja me mish lope, apo ftonjtë me kadaif dhe mjaltë. Të gjitha këto, me qëllimin e vetëm të promovimit të ushqimeve tradicionale shqiptare.
Në këtë eveniment do të marrin pjesë edhe disa emra të njohur të kuzhinës italiane dhe ndërkombëtare, ku mund të përmendim emra si Massimo Bottura, Enrico Crippa dhe të tjerë.
Mediat italiane dhe spanjolle e përshkruajnë Altin Prengën si një kuzhinier të ri shqiptar i cilësuar si revolucionar i të gjithë panoramës gastronomike të Ballkanit. Prenga është rikthyer në Shqipëri pas disa vitesh qëndrimi në Itali, duke ndërmarrë tre vite më parë aventurën e krijimit të restorantit "Mrizi i Zanave" dhe të një ndërmarrje bujqësore të bazuar në rivlerësimin e produkteve vendase, në Fishtë të Lezhës.
U desh pak kohë pas rikthimit të tij në Shqipëri, që ai të kthehej në boshtin e gastronomisë së re shqiptare. Altini Prenga është edhe referuesi i Sloë Food, (Shoqatës ndërkombëtare për promovimin e shijes, për të mbrojtur ushqimet dhe vlerat e vërteta të tyre). Ai ka marrë gjithashtu edhe disa çmime si një sipërmarrës i ri për risinë e idesë së tij në kuzhinë.
"Ne kemi pasur disa `tsunami` gastronomikë në Shqipëri` të cilët kanë shkatërruar gjithçka, i pari u verifikua në periudhën e diktaturës, kur ishim të detyruar të hanim të gjithë njësoj dhe Tsunami kur largohet, zakonisht lë pas shenja. Këto shenja tashmë mund t`i gjejmë në Shqipëri, mund t`i gjejmë tek djathërat dhe tek buka", ka thënë Prenga.
Prenga tregon se nëse do të shkonim tani në zonat më të thella të jugut, apo të veriut të Shqipërisë, do të gjenim bukën e bardhë dhe djathin në formë katrore.
"Nëse do të shkojmë nëpër fshatrat apo qytetet e Shqipërisë, do të gjejmë bukën dhe djathin në formë katrore dhe kjo është një nga shenjat e sistemit totalitar, që çdo gjë duhet të kishte të njëjtën formë. Unë po mundohem ta luftoj idenë e formës së bardhë dhe katrore, duke kërkuar në traditat tona, që i kanë mbijetuar këtij lloji `tsunami` gastronomik", është shprehur chefi shqiptar i gastronomisë.
Ai u shpreh se `tsunami` i dytë në fushën e gastronomisë që përfshiu Shqipërinë në vitet 90-të, ishte ai i konsumizmit ku shqiptarët të etur për të konsumuar ushqime të huaja, duke harruar ushqimet tradicionale shqiptare.
"Ekziston një moment refleksioni dhe si unë edhe shumë të tjerë që jemi pak nostalgjikë në këtë fushë, po mundohemi ta ndryshojmë këtë tendencë. Kemi vënë re dalëngadalë diçka po ndryshon dhe kjo gjë po funksionon, duke përdorur produkte tradicionale dhe të stinës", ka përfundu...