TIRANË- Pacientët të cilët kanë pësuar djegie nga sot do të kenë mundësi të trajtohen në salla të reja operimi pranë Qendrës Spitalore Universitare 'Nënë Tereza'. Me një fond prej 1 milion eurosh të Bashkimit Evropian, u inauguruan 3 sallat e reja të operimit në spitalin e djegie-plstikës.
Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj deklaroi se ky projekt është një përpjekje e radhës për të sjellë shërbimet e munguara dhe të nevojshme për qytetarin shqiptar, sipas standardeve evropiane.
"Me mbështetjen bujare të Bashkimit Evropian, sot ne bëjmë të mundur fillimin e funksionimit normal të kësaj njësie të re. Janë rreth një milion euro të financuara nga një grant i BE-së, që kanë mbështetur këtë projekt. Është një projekt i rëndësishëm që rrit në radhë të parë sigurinë për vetë qytetarët shqiptarë", tha Ilir beqar, minister i Shëndetësisë. "Shërbim më cilësor dhe standarte europiane për pacientët. Më shumë siguri, progres e inovacion për kujdesin shëndetësor dhe atë spitalor", vijoi ai.
E pranishme në inagurimin e projektit të rikonstruktimit të plotë të bllokut operator të djegie plastikës, drejtoresha e QSUT, Ogerta Manastirliu, u shpreh se shërbimi i ri që do t'i ofrohet qytetarëve do të jetë një ndihmë e madhe për pacientët e moshave të vogla të cilat përbëjnë shumicën e rasteve me djegie.
Spitali i djegie Plastikës pranë QSUT, është i specializuar në kurimin ndaj pacientëve që kanë pësuar djegie trupore. Me financim nga BE, ky seksion i shërbimit shëndetësor është pajisur dhe me strukturë moderne të impianteve të pastrimit të ujit dhe të gazit të emetuar nga reparti.