BRUKSEL- SHBA dhe BE kanë vendosur sanksione ndaj 32 zyrtarëve rus dhe ukrainas, vetëm 1 ditë pas referendumit të mbajtur në Krime. Këto sanksione përfshijë ngrirjen e aseteve dhe ndalimin e udhëtimit drejt vendeve të BE e SHBA. Në një deklaratë para mediave nga Shtëpia e Bardhë, Presidenti amerikan Barack Obama foli lidhur me sanksionet e vendosura.
"Sanksionet do të shtohen nëse Rusia do të vazhdojë të ndërhyjë në Ukrainë. E ardhmja e Ukrainës duhet të vendoset vetëm nga populli i saj. Zv. Presidenti Biden do të udhëtojë sot në mbrëmje drejt Europës ku do të takohet me liderët e NATO-s, ndërkohë që unë do të udhëtoj në Europë javën e ardhshme", tha Presidenti Obama.
Ndërkohë Përfaqësuesja e Lartë e BE për politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton tha në një konferencë për mediat nga Brukseli se Ukrainës i duhet një bashkëpunim me Rusinë.
"Do të bëjmë çmos që të ndihmojnë me zhvillimin e një dialogu për të ulur tensionin në vend dhe që populli i Ukrainës të ecë përpara. BE do të mbështesë ekonomikisht Ukrainën për të stabilizuar situatën e rëndë financiare në vend", tha Ashton.
Ndër personat e sanksionuar janë 7 zyrtarë të lartë rusë, këshilltarët e Presidentit Putin, Vladislav Surkov dhe Sergei Glaziev, deputetët e Dhomës së Ulët të Parlamentit Leonid Slutski e Jelena Mizulina, deputetin e Asamblesë Federale të Rusisë Andrei Klishas, kryetaren e Asemblesë Federale të Rusisë, Valentina Matvienko dhe zv. Kryeministrin Dmitri Rogozin.
Gjithashtu Dhoma e Thesarit amerikan ka vendosur sanksione ndaj 4 shtetasve ukrainas. Bëhet fjalë për ish-presidentin Viktor Janukoviç, zyrtarët e lartë të Krimesë Sergei Aksionov e Vladimir Konstantinov, si dhe ish-shefin e stafit presidencial të Ukrainës, Viktor Medvedchuk.
Sanksionet ndaj tyre u vendosën për veprimet dhe politikat e tyre të cilat kërcënojnë paqen, sigurinë, stabilitetin, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe qeverisë së saj.